347 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit. Shifrat janë bërë publike nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, i cili bëri të ditur se mes të lënduarve janë 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë edhe gazetarë.
Gjatë një deklarate për mediat, Demo i cilësoi javët e fundit si sfiduese për Policinë e Shtetit, ndërsa theksoi se numri i lartë i të lënduarve përbën një sinjal alarmi për nivelin e dhunës gjatë demonstratave.
Ministri nënvizoi se autoritetet duhet të garantojnë të drejtën kushtetuese për protestë, por njëkohësisht edhe ndërhyrjen proporcionale të forcave të rendit.
Sa i përket rasteve të dyshuara të tejkalimit të kompetencave dhe përdorimit joproporcional të forcës, Demo bëri të ditur se shtatë punonjës policie janë pezulluar dhe janë vënë nën hetim.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po trajton dhjetëra raste të referuara nga qytetarët ose të evidentuara gjatë hetimeve për ngjarje konkrete.
“Javët e fundit kanë qenë shumë sfiduese për Policinë e Shtetit dhe kanë prodhuar një bilanc negativ sa i përket personave të lënduar. Janë 347 të lënduar dhe, në fillim, nuk do të doja të bëja diferencim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo kalimtarëve. 107 protestues të lënduar, 39 kalimtarë të lënduar, përfshirë edhe gazetarë. Këto shifra janë një kambanë alarmi sa i përket nivelit të dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë.
Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese, ashtu si edhe ndërhyrjen proporcionale. Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat e duhura, shtatë punonjës janë pezulluar dhe janë nën hetim, por edhe AMP është duke punuar në dhjetëra raste që janë referuar nga qytetarët apo që lidhen me hetime për raste specifike”, deklaroi ministri Demo.

