SPAK ka marrë të pandehur 31 persona dhe subjekte në dosjen hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku në fokus janë nëntë tendera publikë, dyshimet për korrupsion, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Mes të pandehurve janë edhe pesë biznesmenë të sektorit të ndërtimit dhe dy kompani private, të cilat dyshohet se janë përfshirë në procedurat e tenderimit dhe skemat e përfitimit të parregullt nga kontratat publike.
Bëhet fjalë për Arbër Abazin, Pandeli Carapulin, Paqsor Buzin, Artan Sakon dhe Ram Gecin.
Sipas hetimeve, biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction” kanë përfituar tenderin për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. Abazi akuzohet për korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh, pasi dyshohet se ka shpërblyer Ballukun me një vilë në Palasë në këmbim të favorizimit në tender. Edhe kompania e tij është marrë e pandehur për korrupsion aktiv.
Në të njëjtën procedurë tenderimi është përfshirë edhe Artan Sako, i kompanisë së ndërtimit “2T”, e cila së bashku me “Alko Impex General Construction” fitoi tenderin e Lotit 7. Sako akuzohet për falsifikim dokumentesh.
Ndërkohë, Paqsor Buzi, përmes kompanisë së tij “G.P.G. Company”, lidhet me tenderin e Lotit 5 të Unazës së Madhe të Tiranës. Në listën e të pandehurve është edhe ndërtuesi Ram Geci, kompania e të cilit ka fituar tenderin me vlerë rreth 14 milionë euro për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës”, Loti 3. Të dy biznesmenët akuzohen për falsifikim dokumentesh.
Tenderi i rrugës Porto Romano-Durrës përbën procedurën e nëntë nën hetim, krahas tenderit të Tunelit të Llogorasë dhe shtatë loteve të Unazës së Madhe të Tiranës.
Një tjetër biznesmen i marrë i pandehur është Pandeli Carapuli, i cili akuzohet për pastrim parash në lidhje me vilën e kompleksit turistik “White Rocks” në Dhërmi. Në këtë çështje është përfshirë edhe kompania e tij e ndërtimit. Për akuzën e korrupsionit aktiv, procedimi ndaj tij nuk vijon për shkak të parashkrimit të veprës penale. Bëhet fjalë për tenderin e zhvilluar në kohën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”, i cili nuk është përfshirë në nëntë procedurat për të cilat ajo akuzohet zyrtarisht për shkelje të barazisë në tendera.
Vartësit e Ballukut, të përfshirë në disa procedura tenderimi
Përveç biznesmenëve, Igli Tares dhe Joana Bushit, pjesa tjetër e personave të marrë të pandehur përfshin kryesisht ish-zyrtarë dhe vartës të Belinda Ballukut, të cilët kanë pasur role në procedurat e tenderimit.
Mes tyre spikat Ervis Berberi, ndaj të cilit janë ngritur akuza për shkelje të barazisë në të nëntë tenderat. Në dosje përfshihen edhe ish-drejtues të tjerë, si Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të cilët akuzohen për shkelje në procedurat e tenderimit dhe shpërdorim detyre.
Një numër i konsiderueshëm të pandehurish lidhen me tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogorasë, ku janë mbi 10 persona nën akuzë. Përveç shkeljes së barazisë në tendera, në këtë procedurë janë ngritur edhe akuza për shpërdorim detyre. Mes tyre është edhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi.
Akuzat ndaj Belinda Ballukut
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohet zyrtarisht për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, si dhe pastrim parash.
Në muajin dhjetor, SPAK iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të saj si deputete, me qëllim hapjen e rrugës për caktimin e një mase më të rëndë sigurie, si arresti në shtëpi apo arresti në burg.
Megjithatë, kërkesa u refuzua nga maxhoranca socialiste, e cila votoi kundër në Kuvend.
Dy vilat e sekuestruara në Dhërmi dhe Palasë
Një prej linjave kryesore të hetimit lidhet me dy prona luksoze në bregdet, një në Dhërmi dhe tjetra në Palasë, të cilat SPAK dyshon se janë përfituar nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanive të caktuara në tendera publikë. Sipas hetuesve, pronësia reale e tyre është fshehur përmes përdorimit të emrit të ish-futbollistit Igli Tare.
Vila e parë, në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi, me një vlerë prej rreth 145 mijë eurosh, u sekuestrua në muajin qershor. Sipas SPAK, Balluku dyshohet se e ka përfituar këtë pronë si ryshfet në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh, në kohën kur ajo drejtonte “Albcontrol”.
Për të fshehur pronësinë reale të vilës, prokuroria dyshon se janë përdorur emri i Igli Tares dhe ai i një vartëseje të Ballukut në kohën kur drejtonte këtë institucion, shtetases J.B. Sipas hetuesve, kjo është realizuar përmes kontratave të porosisë dhe qirasë, të cilat konsiderohen fiktive.
Ndërsa vila e dytë, në Palasë, u sekuestrua në muajin shtator. Sipas SPAK, Balluku dyshohet se e ka përfituar atë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 23.5 milionë euro.
Sipas hetimeve, investimi për ndërtimin e vilës është kryer nga pronari i kompanisë fituese, Arbër Abazi, me një vlerë të përllogaritur nga SPAK mes 288,616 dhe 410,526 eurove. Në fazën fillestare të ndërtimit, deri në karabina, dyshohet se është përdorur emri i Igli Tares, përmes një kontrate sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh.
SPAK pretendon se Balluku ka fshehur pronësinë reale të pronës duke e regjistruar atë në emër të ish-futbollistit. Për këtë qëllim, sipas prokurorisë, është përdorur edhe një kontratë shitjeje e dyshuar si fiktive, e datës 12 shtator 2025.
Lista e 31 të pandehurve dhe akuzat në dosjen Balluku:
1. Belinda Balluku – Shkelje e barazisë në 9 tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
2. Pandeli Carapuli – Pastrim parash.
3. Igli Tare – Pastrim parash në 2 raste.
4.Joana Bushi – Pastrim parash.
5.Arbër Abazi – Korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh.
6.Alko Impex General Construction – Korrupsion aktiv.
7.Viola Haxhiademi – Shpërdorim detyre në tenderin e Tunelit të Llogorasë.
8. Ergys Verdho – Shpërdorim detyre në tenderin e Tunelit të Llogorasë.
9. Adja Strazimiri – Shpërdorim detyre dhe shkelje në tendera.
10. Anila Sulollari – Shpërdorim detyre në tenderin e Tunelit të Llogorasë.
11. Paqsor Buzi – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
12. Artan Sako – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
13. Ram Geci – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
14. Eurocol sh.p.k. – Pastrim parash.
15. Ervis Berberi – Shkelje në 9 tendera.
16.Gentian Gjyli – Shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre.
17.Erald Elezi – Shkelje në 3 tendera.
18.Jetmira Dervishi – Shkelje në tendera.
19.Mirzeta Kashnica – Shkelje në tendera.
20.Jonida Çeçe – Shkelje në 3 tendera.
21.Adrian Kroi – Shkelje në 4 tendera dhe shpërdorim detyre.
22.Denis Xhoshi – Shkelje në 3 tendera.
23.Klarita Konomi – Shkelje në 1 tender.
24.Miranda Shkurti – Shkelje në 8 tendera.
25.Genti Raça – Shkelje në 5 tendera dhe shpërdorim detyre.
26.Eduart Agalliu – Shkelje në 1 tender.
27.Arbër Troka – Shkelje në 2 tendera.
28.Dhurata Lazaj – Shkelje në 3 tendera.
29.Nikollaq Mihali – Shkelje në 3 tendera.
30.Gëzim Noni – Shkelje në 3 tendera.
31.Arlinda Gordani – Shkelje në 4 tendera.













