“U përpoqën të fshihnin identitetin me maska”, Hita: 52 persona të identifikuar dhe të proceduar për dhunë në protesta
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ku bënë bilancin e protestave të fundit në Tiranë.
Gjatë deklaratës së tij, Hita tha se gjatë dy javëve të fundit, kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune ndaj punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore, si dhe pronës publike e private.
Sipas tij, si pasojë e këtyre akteve, 201 punonjës policie kanë mbetur të lënduar. Ai bëri të ditur gjithashtu se janë identifikuar 52 persona që dyshohet se kanë kryer akte dhune gjatë protestave, duke përdorur maska e mjete të tjera për të fshehur identitetin.
“Gjatë dy javëve të fundit, kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune, të drejtuara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke cenuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore.
Si pasojë e këtyre akteve të dhunshme, 201 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë përmbushjes së detyrës së tyre për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe ushtrimit të lirë të së drejtës për tubim paqësor.
Krahas veprimeve procedurale të kryera në vijimësi, strukturat e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.
Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.
Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm të kryer gjatë dy javëve të fundit, përfshirë ato që kanë vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.
Në këtë kontekst, dëshiroj të përsëris edhe një herë thirrjen time publike, në radhë të parë për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre.
Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune, të shmangin qëndrimin pranë personave që ushtrojnë dhunë dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Policia e Shtetit është dhe mbetet e vendosur të garantojë të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës paqësore, por njëkohësisht do të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, ndaj cilitdo që përdor dhunën, rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private.
E drejta për të protestuar është e garantuar dhe duhet respektuar. Dhuna, nga ana tjetër, nuk mund të justifikohet dhe as të mbrohet në emër të kësaj të drejte”, deklaroi Hita.
Demo: 269 të mitur të shoqëruar gjatë protestave, shqetësuese përfshirja e tyre në akte dhune
Demo: Kamera trupi për policinë në Tiranë, teknologji e re për identifikimin e protestuesve të dhunshëm
Bilanci i protestave, Demo: 200 policë dhe 107 protestues të lënduar, dhuna ka qenë e paprecedentë
- 16:39 BE vendos tarifë të re për çdo pako që hyn në treg, masa prek edhe blerjet online nga Kina
- 16:35 Demo: 269 të mitur të shoqëruar gjatë protestave, shqetësuese përfshirja e tyre në akte dhune
- 16:30 Demo: Kamera trupi për policinë në Tiranë, teknologji e re për identifikimin e protestuesve të dhunshëm
- 16:17 Bilanci i protestave, Demo: 200 policë dhe 107 protestues të lënduar, dhuna ka qenë e paprecedentë
- 15:47 Trump shpërthen ndaj gazetarit të Reuters: “Je i neveritshëm, për kë punon” (VIDEO)
- 15:22 Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendos ndërprerjen e bojkotit në GJKKO, avokatët rikthehen në seanca nga e hëna