Dhoma e Avokatisë ka vendosur të ndërpresë bojkotin e avokatëve, i cili vijon prej rreth dy muajsh në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Vendimi është marrë pas njohjes me masën provizore të dhënë nga Apeli i Gjykatës Administrative, e cila parashikon pezullimin e bojkotit. Për rrjedhojë, avokatët do t’i rikthehen aktivitetit gjyqësor duke filluar nga dita e hënë.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, bëri të ditur se vendimi për ndërprerjen e bojkotit nuk nënkupton tërheqjen nga kundërshtimi i tyre ndaj rregullores së GJKKO-së. Ai theksoi se beteja do të vijojë në rrugë ligjore, përmes ankimit në Apelin e Gjykatës Administrative.
Haxhia kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është imponuar autoriteti institucional për zgjidhjen e konfliktit, duke nënvizuar se Dhoma e Avokatisë ka kërkuar që çështja të zgjidhet përmes mirëkuptimit dhe bisedimeve.
“Sot na u vu në dispozicion vendimi i Administratives së Apelit dhe masa provizore është që bojkoti të pezullohej. Në këto kushte, ky organ vendimmarrës, i bëmë prezent gjithë situatën, përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij konflikti dhe Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para, kemi qenë dhe jemi që çdo gjë të zgjidhet me mirëkuptim e bisedime. U përdor autoriteti i karriges dhe s’është mirë që në këtë vend kaq të vogël të ndiqet me imponimin e autoritetit të karriges. Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që në zbatim të këtij vendimi, të ndërpresë bojkotin duke filluar nga dita e hënë. Ndërkohë Këshilli përcaktoi edhe grupet e punës që do të paraqesin ankimin në rrugën ligjore për ecurinë”, deklaroi Haxhia.












