Shtyhet sërish lotaria "Green Card"

Mijëra persona që shpresojnë të fitojnë të drejtën për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara do të duhet të presin edhe më gjatë, pasi lotaria amerikane e kartonit të gjelbër për vitin 2027 është përballur me një tjetër pengesë ligjore.
Një gjykatë federale e apelit në SHBA ka bllokuar përkohësisht një vendim të mëparshëm, i cili e detyronte administratën e presidentit Donald Trump të rifillonte programin e lotarisë.
Kështu, mijëra aplikantë mbeten sërish në pasiguri, ndërsa ende nuk dihet se kur do të mund të vazhdojë procesi, shkruan newsweek.
Programi është pezulluar që nga viti 2025. Autoritetet amerikane e kanë arsyetuar këtë masë me shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe nevojën për të rishikuar procedurat e verifikimit të aplikantëve.
Lotaria e kartonit të gjelbër, e njohur si Programi i Vizave të Diversitetit (Diversity Visa), u mundëson qytetarëve të vendeve të caktuara të aplikojnë për një mundësi për të fituar qëndrimin e përhershëm në SHBA.
Pezullimi i vazhdueshëm dhe pengesat ligjore kanë krijuar paqartësi për mijëra persona që presin të dinë nëse programi do të zhvillohet për vitin 2027. /Telegrafi/








































