Detaje të reja janë bërë publike lidhur me konfliktin mes Arlinda Zekajt dhe ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, për kujdestarinë e djalit të tyre të mitur. Përpara se të vritej nga kunati i saj, Arlinda kishte denoncuar në polici kërcënimet dhe presionin që, sipas saj, ushtronte ish-bashkëshorti për të mos e lejuar të merrte fëmijën.
Në emisionin “Shqipëria Live” është publikuar një bisedë telefonike mes tyre, gjatë së cilës palët diskutojnë me tone të ashpra për qëndrimin e djalit. Arlinda këmbëngul se fëmija duhet të jetojë me të ëmën, ndërsa Jeton Sylaj i thotë se nuk do ta lejojë kurrë ta marrë.
Gjatë bisedës, ish-bashkëshorti përdor edhe shprehje kërcënuese, duke i thënë se nuk do ta ketë më djalin dhe se ka humbur të drejtën për të komunikuar me të.
Pjesë nga biseda telefonike:
Arlinda Zekaj: Me nënën e vet ka nevojë të rrijë djali, ajo është më kryesorja. Edhe rri me nënën e vet.
Jeton Sylaj: S’ka në traditën shqiptare që nëna e ka marrë djalin, veç kur nuk ka dashur babai. Kurrë nuk ke për ta marrë.
Arlinda Zekaj: Ma gjej edhe ti një nënë që nuk e ka fëmijën, që nuk e ka, as në Amerikë, as në Kosovë, as në të gjithë botën.
Jeton Sylaj: Ja unë ta gjej, ti je. Ti je që nuk e ki.
Arlinda Zekaj: Unë? Jo more, ngadalë.
Jeton Sylaj: Nuk ke për t’i pasur, besën e Zotit po ta jap dhe ti futi gishtat në sy, nuk ke për ta pasur.
Arlinda Zekaj: A je i sigurtë? A je i sigurtë?
Jeton Sylaj: Po.
Arlinda Zekaj: Në rregull vazhdo kështu.
Jeton Sylaj: Prej këtij minuti e humbe privilegjin për të folur me të, besën po ta jap.
Në korrik të këtij viti, Arlinda Zekaj kishte denoncuar në polici se bashkëshorti dhe familja e tij nuk po i kthenin djalin, pasi e kishte lejuar këtë të fundit t’i vizitonte. Sipas saj, ish-bashkëshorti po e detyronte djalin e tyre të mos kishte asnjë kontakt me të.
“Unë edhe pse kam shkuar tek familia e tij unë djalin nuk e kam ndaluar që të shkoj tek gjyshja dhe migjallarët e tij ka shkuar disa herë ka qëndruar atje dhe unë asnjëherë nuk e kam ndaluar. Por që nga data 20 qershor 2026 djali ka shkuar tek Gjyshja dhe migjallarët, djali më ka bllokuar në telefon dhe nuk dëshiron që të vijë të jetoj më me mua. Dhe për këtë unë jam e sigurt se Jetoni po e detyron që të qëndroj tek Gjyshja në Deçan dhe mos të vijë të jetoj me mua. Unë kërkoj nga Polica që të ma kthej djalin tim të jetoj me mua”, ka deklaruar Arlinda Zekaj në polici më 10 korrik 2026.

