Deputetja demokrate Ina Zhupa ka mbrojtur përdorimin e tymueseve nga opozita gjatë seancës parlamentare të së enjtes, duke deklaruar se deputetët e mazhorancës meritonin të përjetonin një pjesë të asaj që, sipas saj, kanë kaluar studentët gjatë protestave.
E ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun, Zhupa e lidhi situatën e krijuar në Kuvend me dhunën që, sipas saj, policia ka ushtruar ndaj protestuesve në Tiranë.
“Kjo gjendje lidhet me situatën e dhunës së policisë përballë protestave. Kur shkoj në Kuvend dhe shoh kriminelë që kanë minuar rininë shqiptare. Nëse rinia shqiptare ka ngrënë gaz lotsjellës gjithë këto ditë, e meritonin edhe ata një tymuese në Kuvend që të kuptonin 1 të 100 e asaj që kanë përjetuar studentët”, tha Zhupa.
Deklarata e saj vjen pas seancës së të enjtes e cila u shoqërua me tensione, bllokim të foltores dhe ndezje të flakadanëve nga deputetët e opozitës. Mes përplasjeve, Kuvendi miratoi me 84 vota projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë.
Zhupa kundërshtoi mënyrën se si u miratua ligji, duke akuzuar mazhorancën se po krijon precedent të rrezikshëm duke veshur me imunitet, zyrtarë të cilët nuk janë parashikohen nga Kushtetuta.
“Për mua është një nga skandalet më të mëdha që ka ndodhur, sepse krijon një precedent të rrezikshëm që ti me ligj krijon imunitet kushtetues për zyrtarë të lartë që nuk i përcakton Kushtetuta. Kushtetuta ka vendosur kush janë zyrtarët me imunitet dhe Guvernatori nuk është i tillë. Nuk mundet që ti me ligj të ndryshosh atë që përcakton Kushtetuta”, tha Zhupa.
Deputetja demokrate ngriti akuza edhe për ndikimin që, sipas saj, mazhoranca mund të ketë mbi një arrestim të mundshëm të Guvernatorit Gent Sejko, duke bërë një krahasim me rastin e Belinda Ballukut.
“Tani Gent Sejko do të ketë varësi vetëm nga vullneti i mazhorancës. Kur SPAK do të dojë ta arrestojë, do ta ndalojnë si në rastin e Belinda Ballukut”, deklaroi ajo.
Zhupa e lidhi miratimin e ligjit edhe me hetimet e SPAK për skandalin e mikrokredive, duke pretenduar se ndryshimet po bëhen në një moment kur hetimet po thellohen.
“Sot Banka e Shqipërisë është nën hetim nga SPAK për skandalin e mikrokredive dhe në prag të thellimit të hetimit këta i japin imunitet. Nesër kush e ndalon Ramën që t’i japë imunitet kreut të AKSHI-t, Kadastrës? Këto janë skandale që shkatërrojnë bazën e shtetit ligjor”, përfundoi Zhupa.
Ligji i miratuar dje parashikon që Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë të mos arrestohen apo t'u kufizohet liria pa autorizim paraprak nga Kuvendi







Komente
Komento