Papa Leo XIV voton për herë të parë në zgjedhjet amerikane, dërgon fletën me postë nga Illinois

Papa Leo XIV është bërë papa i parë në histori që merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme në Shtetet e Bashkuara, duke votuar me postë në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Vatikani konfirmoi se Papa, i lindur në Çikago si Robert Prevost, e kishte nisur fletën e votimit përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit në Illinois.

Të lidhura

None found

Sipas zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Leo XIV ka votuar si qytetar amerikan sa herë që i është krijuar mundësia. Ai mori pjesë në zgjedhje edhe kur jetonte në Peru, ku shërbeu për më shumë se 20 vjet fillimisht si misionar dhe më pas si peshkop.

“Ati i Shenjtë shpreh besimin e tij në të drejtën dhe detyrën e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike”, thuhej në deklaratën e Vatikanit.

Fillimisht, votimi i Papës u raportua nga gazeta “Chicago Sun-Times”, e cila iu referua një zyrtari të administratës zgjedhore të Qarkut Will. Sipas zyrtarit, Papa kishte paraqitur kërkesë për fletë votimi me postë më 3 tetor. Nuk është bërë e ditur mënyra se si e dorëzoi atë.

Regjistrat zgjedhorë tregojnë se Robert Prevost ka votuar në pesë zgjedhje paraprake që nga viti 2000: dy herë ka kërkuar fletë votimi demokrate dhe tri herë republikane. Të dhënat nuk zbulojnë kandidatët që ai ka përkrahur. Në zgjedhjet e përgjithshme, votuesit nuk janë të detyruar të tregojnë përkatësinë partiake.

Po ashtu, Papa ka marrë pjesë në pothuajse çdo zgjedhje të përgjithshme që nga viti 2000, përveç atyre të viteve 2020 dhe 2022.

Votimi i tij vjen në një kohë kur marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump janë shoqëruar me disa përplasje publike.

Pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike, Leo XIV ka kritikuar luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe ka kërkuar që emigrantët të trajtohen me dinjitet. Këto qëndrime kanë sjellë reagime nga Trump, i cili më parë e ka quajtur Papën “të dobët” dhe “peng të së majtës radikale”.

Gjatë një udhëtimi në Algjeri, Papa iu përgjigj kritikave duke thënë se nuk kishte frikë nga administrata Trump dhe se do të vazhdonte të përcillte mesazhin e Ungjillit.

Ai tha gjithashtu se do të vijonte të kundërshtonte luftën dhe të nxiste paqen, dialogun e bashkëpunimin mes shteteve. Megjithatë, në muajt e fundit, përplasjet publike mes dy figurave janë zbutur.


Shtuar më 30.10.2026 17:12

Quantcast