Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, duke paralajmëruar për mundësinë e përshkallëzimit të tyre në përplasje të dhunshme, si dhe për bllokime të rrugëve e ndërprerje të shërbimeve publike.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se demonstratat vijojnë në qendër të kryeqytetit dhe pranë institucioneve qeveritare. Sipas ambasadës, disa prej tyre kanë degjeneruar në trazira, ku janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe është dëmtuar prona.
Paralajmërimi përfshin edhe ditët në vijim, pasi demonstrata të tjera mund të organizohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Ambasada thekson se protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth zonave ku zhvillohen, duke sjellë shtim të pranisë së policisë, trafik të rënduar, devijime dhe mbyllje të akseve rrugore. Qytetarët që ndodhen pranë tubimeve mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.
Për shkak të këtyre rreziqeve, ambasada ka udhëzuar edhe personelin e saj të qëndrojë larg të gjitha zonave ku zhvillohen demonstratat.
Në njoftim paralajmërohet gjithashtu për mbyllje të mundshme ose reduktim të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe zyrat qeveritare.
Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes, të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të policisë.
Mes këshillave të tjera janë shmangia e tubimeve, vëzhgimi i vazhdueshëm i mjedisit përreth, kufizimi i shpërqendrimeve gjatë lëvizjes në publik, përgatitja e një plani emergjence ose daljeje dhe ruajtja e një profili të ulët.


