Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, Rama: Jemi bërë dëshmitarë të himnizimit të dhunës, dhunuesit gëzojnë imunitet mediatik


Kryeministri Edi Rama ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar dhuna gjatë protestave të fundit në Tiranë, duke deklaruar se ajo është relativizuar, justifikuar dhe madje himnizuar.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama u ndal edhe te pjesëmarrja e të miturve në protestat e dhunshme dhe nevoja për një plan të përbashkët veprimi me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kreu i qeverisë tha se shoqëria është bërë dëshmitare e një qasjeje shqetësuese ndaj dhunës, të cilën e cilësoi si një nga tabutë e demokracisë dhe bashkëjetesës shoqërore. Sipas tij, në vend që të dënohen veprimet e dhunshme, vëmendja është përqendruar te kritikat ndaj Policisë së Shtetit.

“Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te numri i konsiderueshëm i të miturve të përfshirë në protestat e dhunshme, duke e cilësuar këtë një fakt shqetësues. Ai theksoi se personat që kryejnë akte dhune duhet të mbajnë përgjegjësi, por për të miturit, sipas tij, nevojitet një qasje më e kujdesshme, që të synojë edhe largimin e tyre nga ndikimi i dhunës.

“Të gjithë dhunuesit duhet të jenë përgjegjës ndaj asaj që kryejnë. Dhuna në një moment mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, kundër shkollës, universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes, mund të përdoret kundër kujtdo që mund të shihet si pengesë dhe që mund të cenojë lirinë e tjetrit”, u shpreh ai.

Rama shtoi se përpara se të mendohet ndëshkimi i të miturve, duhet të identifikohen dhe të neutralizohen burimet që i nxisin drejt sjelljeve të dhunshme.

“Përpara se këta fëmijë të mendojmë t’i dënojmë, duhet të mendojmë si të neutralizojmë burimet nga të cilat ata joshen me dhunën. Përpara se të gjejmë se kush i përdori, duhet t’i ndihmojmë që të ikin nga kjo rrugë. Nëse për një të rritur dënimi i merituar dhe izolimi e përfundon misionin dhe funksionin e shtetit në raport me sigurinë, për një të mitur duhet më tepër kujdes”, deklaroi kryeministri.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve u zhvillua me fokus protestat e dhunshme, mbrojtjen e të miturve dhe hartimin e një plani të përbashkët veprimi mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.