Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për rrezikun që, sipas tij, dhuna e shfaqur gjatë protestave të fundit të kthehet në një model sjelljeje edhe në shkolla, universitete apo mjedise të tjera të shoqërisë. Gjatë një tryeze të Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ai akuzoi një pjesë të shoqërisë se ka relativizuar dhe justifikuar aktet e dhunës.
Në fokus të diskutimit ishte përfshirja e të miturve në protestat e fundit dhe nevoja për një plan të përbashkët veprimi mes institucioneve, Shoqërisë Civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Rama pretendoi se dhuna është paraqitur në mënyrë të njëanshme në publik, duke u kthyer, sipas tij, në një mjet për të stigmatizuar Policinë e Shtetit, ndërsa personat që kanë sulmuar institucionet dhe kanë penguar zhvillimin normal të mësimit janë paraqitur si pjesë e një përpjekjeje për ndryshim politik.
“Kemi parë sesi është relativizuar, sesi është justifikuar dhe himnizuar. Kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe të drejtës së gjithkujt për të pasur një qëndrim ndryshe, për të qëndruar dhe për të bërë mësim, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem”, deklaroi kryeministri.
Ai paralajmëroi se, nëse kjo qasje nuk trajtohet përtej kritikave publike, dhuna mund të normalizohet dhe të përdoret në situata të tjera, duke përfshirë edhe marrëdhëniet mes nxënësve dhe mësuesve apo studentëve dhe pedagogëve.
“Mund të kthehet në një mjet që mund të përdoret nga nxënësit, dhuna kundër pedagogut, kundër universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi veçanërisht shqetësuese praninë e një numri të madh të miturish në protestë. Megjithatë, ai tha se ata nuk duhen trajtuar fillimisht si fajtorë, por si fëmijë që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.
“Para se t’i konsiderojmë fajtorë, duhet të mendojmë se janë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Si duhen neutralizuar burimet prej nga ata ushqehen me frymën dhe nxitjen e dhunës?”, pyeti Rama.
Deklaratat e kryeministrit u bënë në kuadër të diskutimit për mbrojtjen e fëmijëve dhe përfshirjen e institucioneve në parandalimin e dhunës, pas tensioneve të regjistruara gjatë protestave të fundit.

