Kryeministri Edi Rama tha se rrjetet sociale kanë ndikuar në vetminë e të rinjve dhe kapërcimin mes kufijve të realitetit e virtualitetit. Çështja e kufizimit të tyre do të debatohet në një konsultim me prindërit dhe mësuesit për të vendosur mbi moshën dhe kritere të tjera.

“Kjo situatë e re, e gatuar me vite në Europë edhe në Shqipëri si rezultat i arsyeve që janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje te re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Është shumë e qartë që rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët dhe e kanë stimuluar një kapërcim të kufijve midis reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë, si një mundësi për të hyrë fizikisht në një PlayStation dhe duhet hapur debati që si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve. Dhe deri në cilin kufij moshe 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Ne do të fillojmë një konsultim siç bëmë në rastin kur na u desh të kufizojmë Tik-Tokun. Do fillojmë një diskutim me mësuesit, me prindërit në të gjitha shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, një gjë që është një trend tanimë i identifikueshëm në një sërë vendesh demokratike”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Të miturit në protesta, shqetësuese’, Rama: Konsultim për kufizim të rrjeteve sociale! Nga 2027, në shkollë deri në 17:00! Po himnizohet dhuna