Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa të reja për mbrojtjen dhe edukimin e të miturve, pas shqetësimeve për rritjen e dhunës mes të rinjve. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutuan mësimet e javëve të fundit dhe nevoja për një plan të përbashkët veprimi me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, Rama theksoi përgjegjësinë e familjeve, rolinn e mbështetjes sociale dhe nevojën për kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.
Ai njoftoi nisjen e një dialogu me prindërit, mësuesit dhe shkollat për vendosjen e kufizimeve të moshës në platformat sociale dhe propozoi edhe vendosjen e penaliteteve financiare për familjet kur fëmijët shkaktojnë dëme. Rama argumentoi se për një të mitur masa ligjore e izolimit nuk e zgjidh problemin vetë, por duhet bashkë me ndihmën për familjet për të rikthyer ndjesinë e bashkëjetesës.
Kreu i qeverisë përmendi se Shqipëria po ndjek shembuj nga vende të tjera si Franca dhe Italia, ku dhuna ndër të rinj ka qenë prezente, dhe se do të merret parasysh përballimi i fenomeneve të ngjashme. Ai theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e zgjerimit të aktiviteteve sportive e kulturore për fëmijët si pjesë të zbutjes së problematikës.
Në fushën e mbështetjes sociale, Rama rikujtoi skemat ekzistuese, si sigurimi për nënat e papuna kryefamiljare dhe bonusin e bebeve që është vendosur në një mbështetje mujore, por pranoi se nuk mjafton. Qeveria do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme mbështetjen financiare për studentët nga familje në nevojë, duke pohuar se ajo do të arrijë në masën e gjysmës së pagës minimale, me rezervën se kjo sërish nuk e plotëson plotësisht nevojën për mbështetje.
Rama tha se rrjetet sociale kanë stimuluar një formë të vetmisë që dëmton bashkëjetesën dhe përmendi konkluzionet e psikologëve që e shohin këtë si një ndërrim të mënyrave të lojës dhe socializimit. Për këtë arsye ai riafirmoi vendimin për të diskutuar dhe vendosur kufizime moshe për përdorimin e rrjeteve sociale, si dhe për të rritur ofertën e aktiviteteve sportive dhe kulturore për fëmijët.
