Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimin e protestës së studentëve dhe reagimin e Policisë së Shtetit, gjatë një interviste në News24, ku ngriti pikëpyetje mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e pretenduar të krimit të organizuar në protesta.
Hoxha u shpreh se në 48 orët e para kryeministri u gjend i papërgatitur për situatën e krijuar, ndërsa vlerësoi qëndrueshmërinë e të rinjve, të cilët sipas tij protestuan për 7-8 orë me intensitet të lartë.
Gazetari theksoi se protesta kishte zgjatur 16 ditë dhe, sipas tij, gjatë kësaj periudhe nuk ishin përdorur armë nga protestuesit.
Duke iu referuar deklaratave të Ramës për përfshirjen e krimit të organizuar, Hoxha tha se ky pretendim nuk përputhet me mënyrën se si, sipas tij, është zhvilluar protesta.
Hoxha foli edhe për një nga momentet më të tensionuara të protestës, kur sipas tij, situata rrezikoi të përshkallëzohej deri në hyrjen e protestuesve në Kryeministri. Ai përmendi dëmtimin e mjeteve të policisë dhe përdorimin e automjeteve të ujit, ndërsa theksoi se si forcë ndërhyrjeje u angazhua edhe RENEA.
“Nëse në ditët e parë pamë që , 48 orët e para pamë që kryeministri u kap gafil nuk e mendonte që do i vinte kjo situatë. Qëndrueshmëria e atyre të rinjve prej 7-8 orësh ishte e jashtëzakonshme dhe me intensitet të madh. Është bërë 16 ditë protestë dhe nuk kemi parë armë. Kryeministri thotë është përfshirë krimi i organizuar, por krimi i organizuar nuk sulmon me gurë. U tha një ditë se donin të sulmonin policinë me dron. Është ajo ditë që po të kishte vazhduar edhe çerek ora protesta do kishin hyrë në Kryeministri sepse u dëmtuan mjetet e policisë, hedhjet e makinave të ujit. Dhe si masë e fundit mbrojtësve nuk u nxorr garda, por u nxor RENEA. Besoj që kur u panë që dolën RENEA mendonin që situata mund të eskalonte. Protestuesit nuk kishin informacion se në çfarë gjendje ishte policia atë ditë …Forcat politike tradicionale e kanë, sepse një pjesë e mirë kanë kontakte… Por kjo vala e dytë të cilën kryeministri vendosi ta shuante me dhunë, sidomos dhuna ndaj të miturve. Dhunë që u kap nga kamerat ku 5-6 policë qëllonin një person vetëm të pambrojtur, ose i qëllonin pasi i arrestonin. Të gjitha këto synon të trembnin dhe të demotivonin protestuesit. Kryeministri e pa që ata që po e mbanin dhe ishin shpirti protestës ishin ato me maska”, tha ai.
