Vendosni fjalën kyçe....

Demo: Platformë e dedikuar për të miturit që përballen me abuzime në internet


Ministri Ervin Demo bëri të ditur se Ministria e Brendshme po punon për ngritjen e platformës “Help for You”, e cila synon të ndihmojë të miturit që përballen me abuzime në mjedisin dixhital.

Njoftimi u bë gjatë tryezës së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutua edhe për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme.

Demo theksoi se fëmijët duhet të mbrohen nga dhuna dhe të mos përfshihen në kauza apo situata që mund të rrezikojnë sigurinë e tyre.

“Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kauzave. Mbrojtja dhe siguria e tyre janë të panegociueshme për të gjithë. E konsideroj mbrojtjen e çdo fëmije një detyrim të panegociueshëm, pavarësisht se kush e ka çuar në rrugë”, u shpreh ministri.

Sipas tij, platforma “Help for You”, e zhvilluar nga Europol, do t’u vijë në ndihmë fëmijëve nën moshën 18 vjeç që përballen me abuzime në internet. Ajo do të ketë karakter informues dhe parandalues, duke synuar rritjen e sigurisë së të miturve në mjedisin dixhital.

Nisma synon të krijojë një mekanizëm mbështetës për fëmijët që përballen me rreziqe dhe abuzime online, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e mbrojtjes së tyre.