Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, pas ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku u vra 49-vjeçarja Arlinda Zekaj.

Në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hoxha ka bërë të ditur se vendimin për dorëheqje e ka marrë pas një reflektimi të thellë dhe duke e konsideruar atë si përgjegjësi institucionale dhe morale.


Ai ka theksuar se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit të institucionit.

“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka shtuar se këtë vendim e merr me bindjen se asnjë pozitë nuk është mbi shtetin dhe asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve.

Në letrën e tij, Hoxha ka përmendur edhe sfidat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës gjatë periudhës kur ai drejtoi këtë institucion, që nga marsi i vitit 2023.

Ai ka veçuar operacionet policore në veri të vendit, menaxhimin e situatave të sigurisë në Zveçan dhe Banjskë, si dhe hetimin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe Policia ka shënuar rezultate edhe në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit dhe krimeve kibernetike.

Hoxha ka pranuar se dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues, duke vlerësuar se nevojitet një qasje më e koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, shërbimeve sociale, gjykatave dhe organizatave joqeveritare.

Rezultatet në hetimin e krimeve të luftës dhe luftimin e fajdesë

Në dokumentin e publikuar, Hoxha ka paraqitur edhe një përmbledhje të rezultateve të disa hetimeve dhe operacioneve të rëndësishme të Policisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të tij, gjatë periudhës 2023–30 tetor 2026, në kuadër të hetimit të krimeve të luftës, nga 305 informata janë marrë 163 autorizime nga Prokuroria për fillimin e hetimeve. Janë hetuar 63 raste të reja dhe janë iniciuar 66 kallëzime penale ndaj 745 personave të dyshuar, ndërsa janë arrestuar 62 persona.

Gjatë këtyre hetimeve, sipas Hoxhës, janë gjetur edhe 62 trupa dhe 14 pjesë kockore.

Ndërkaq, në luftimin e fajdesë, nga konsolidimi i ekipit të posaçëm hetimor në maj të vitit 2024, janë arrestuar 79 persona të dyshuar për fajde dhe vepra të tjera penale.

Në këtë kuadër janë realizuar 40 operacione policore dhe janë kontrolluar rreth 90 objekte banimi dhe objekte përcjellëse. Vlera e përafërt e veturave, parave dhe pasurive të tjera të sekuestruara arrin në tetë milionë euro.

Mbi 53 milionë euro pasuri të sekuestruara dhe të ngrira në rastet “White Star” dhe “Skyecc”

Hoxha ka publikuar edhe të dhënat për rastet “White Star” dhe “Skyecc”, ku janë arrestuar 37 persona.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 153 mijë e 560 euro, 49 armë të ndryshme, 2 mijë e 26 fishekë, 13 mijë euro të dyshuara si të falsifikuara, 76 vetura dhe 39 orë dore të markave të shtrenjta.

Po ashtu, janë evidentuar 20 banesa, pesë depo, 12 garazhe, katër lokale, gjashtë shtëpi, dhjetë pyje, 170 parcela dhe një hotel, me vlerë të përafërt prej 49.8 milionë eurosh.

Janë ngrirë edhe 47 llogari bankare, me vlerë të përgjithshme prej rreth 1.5 milion eurosh.

Sipas përmbledhjes së publikuar nga Hoxha, vlera e përgjithshme e sekuestrimeve, konfiskimeve dhe ngrirjeve të pronave dhe llogarive bankare në këto raste arrin në 53 milionë e 974 mijë e 918 euro./Telegrafi/