“Kërkesat e Arlinda Zekajt u neglizhuan”, arsyetimi i Këshillit Prokurorial për pezullimin e dy prokuroreve

30 Tetor 2026 | 19:22

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të pezullojë nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila kishte trajtuar rastin e Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor. Vendimi vjen pas nisjes së procedurave disiplinore ndaj tyre, për shkak të dyshimeve për mosveprim dhe neglizhencë në trajtimin e kërkesave urgjente të viktimës.

Sipas arsyetimit të KPK-së, kryeprokurorja Vuçetaj ishte në dijeni të kërkesave të përsëritura të Arlinda Zekajt, si dhe të rrezikut që i kanosej jetës së saj. Ajo kishte marrë informacion edhe përmes raporteve të prokurorëve që kishin trajtuar rastet e Zekajt, njoftimeve zyrtare të Policisë së Kosovës dhe komunikimeve nga Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithatë, sipas KPK-së, Vuçetaj nuk kishte ndërmarrë veprimet e kërkuara nga ligji për trajtimin e këtyre kërkesave. Këshilli vlerëson se neglizhenca e vazhdueshme në trajtimin e tyre kishte sjellë pasoja fatale për viktimën.

Në arsyetimin për pezullimin e prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, KPK-ja ndalet veçanërisht te një rast i raportuar më 22 tetor. Atë ditë, Arlinda Zekaj kishte njoftuar Policinë për shkeljen e urdhrit të mbrojtjes, duke raportuar se në shtëpinë e saj ndodheshin nëna dhe vëllai i bashkëshortit dhe se ky i fundit e kishte kanosur.

Sipas KPK-së, prokurorja kishte udhëzuar që personi i dyshuar të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, pa marrë parasysh kanosjen e drejtpërdrejtë për privim nga jeta dhe nivelin e rrezikut që i kanosej Zekajt.

Këshilli thekson se Nallbani-Gacaferri ishte në dijeni të kërkesave urgjente të viktimës, edhe për shkak të detyrës së saj si koordinatore për dhunën në familje. Megjithatë, sipas vlerësimit të KPK-së, ajo nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, nuk kishte marrë parasysh provat dhe faktet gjatë trajtimit të rastit dhe nuk kishte siguruar mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së viktimës.

Për të dyja prokuroret është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit. Pezullimi i tyre është vendosur pas kërkesës së kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, i cili kishte kërkuar edhe inicimin e procedurave disiplinore.

Sipas vendimit të KPK-së, të dyja janë pezulluar menjëherë nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër të Këshillit Prokurorial.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

‘Drejtori i policisë s’mund të bëhet ‘kurban’’, PDK kërkon shkarkimin e ministrave Gërvalla e Sveçla

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,...
18:45 | 30/10/2026

Zgjedhjet në Serbi, Lista Serbe: Mbetemi të përkushtuar ndaj lidhjeve institucionale me Beogradin

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë se “i pranon” rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Ajo shtoi se mbetet...
14:25 | 30/10/2026

Drafti për zgjerimin e BE-së, Kosova pa përparim në fushat themelore

Komisioni Evropian do të miratojë dhe publikojë raportet vjetore të progresit në BE të mërkurën më 4 nëntor, si dhe paketën e zgjerimit. Sipas draftit...
13:00 | 30/10/2026