Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, propozoi në Këshillin Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës katër masa për të forcuar garancitë procedurale për të miturit që vihen në kontakt me organet ligjzbatuese. Si masa kryesore ai përmendi një formular të drejtash të shkruar në gjuhë të kuptueshme për fëmijët, i cili t’u jepet para marrjes në pyetje; sigurimin e një avokati pa vonesë për të miturin sipas garancive ligjore; njoftimin e hershëm të punonjësit të mbrojtjes së fëmijës; dhe krijimin e të dhënave të përbashkëta ndërinstitucionale mbi mënyrën e zbatimit të këtyre garancive.
Gogu paraqiti këto propozime si pjesë të qasjes së qeverisë ndaj dhunës së javëve të fundit, duke theksuar se “Protesta paqësore mbrohet. Dhuna ka përgjegjësi. Në këtë përgjigje, Ministria e Drejtësisë mban një pjesë të veçantë: fëmijën.” Ai shtoi se projekti i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për të Miturit 2027–2030, i hartuar me asistencën teknike të UNICEF-it, është në konsultim publik deri më 22 nëntor. Ministri propozoi që në konsultime të përfshihen edhe vetë fëmijët, duke planifikuar një seancë rreth 20 nëntorit, Ditës së të Drejtave të Fëmijës.
Ministria po punon gjithashtu për transformimin e institutit për të miturit drejt një modeli që forcon arsimin, rehabilitimin dhe rikthimin në familje. Bashkë me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po hartohen plane parandaluese në shkolla. Këto nisma lidhen me qasjen që Ministria e Drejtësisë po nis drejt drejtësisë sociale, me qëllimin që shërbimet të arrijnë tek fëmija edhe kur familja e tij nuk ka mundësi ose kontakte për të kërkuar mbështetje.
Gogu përfundoi duke theksuar synimin që ndërveprimi i fëmijëve me sistemin e drejtësisë të ketë efekt rehabilitues dhe social: “Drejtësia duhet të arrijë te fëmija, edhe kur familja e tij nuk ka avokat, nuk ka lidhje, apo nuk di ku të trokasë.” Sipas tij, qëndrimi përfundimtar duhet të jetë që fëmija të dalë nga kontakti me drejtësinë me mjetet për të vijuar shkollën, një profesion dhe mbështetje familjare, jo me një dosje më shumë.
