Yair Netanyahu, djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka shkaktuar reagime të forta pas deklaratave kundër komunitetit arab që jeton në Izrael, të cilin e cilësoi si kërcënimin më të madh për vendin pas Iranit.
Në një postim në rrjetin social X, ai iu referua rezultateve të zgjedhjeve për Knessetin e 26-të, duke pretenduar se ato nxjerrin në pah rrezikun që, sipas tij, vjen nga qytetarët arabë për të ardhmen e shtetit izraelit.
“Një vend nuk mund të mbijetojë në planin afatgjatë kur 20% e popullsisë së tij identifikohet me armiqtë e tij dhe dëshiron shkatërrimin e tij”, shkroi Yair Netanyahu.
Në vijim, ai bëri edhe deklarata të tjera për islamin dhe myslimanët, duke pretenduar se shumica e tyre nuk mund të bashkëjetojnë në paqe me fqinjë që u përkasin feve të tjera.
Reagimet nuk vonuan. Deputeti arab Ahmad Tibi i cilësoi deklaratat si raciste dhe antisemitike, ndërsa theksoi se qytetarët arabë vazhdojnë të punojnë dhe të kërkojnë një të ardhme të mbështetur te bashkëpunimi dhe të drejtat e barabarta.
Edhe publicisti Rani Rahav reagoi publikisht, duke iu drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe duke rikujtuar deklaratat e tij të vitit 2016 për votuesit arabë në Izrael, për të cilat kreu i qeverisë kishte kërkuar më pas falje.
Përplasjet vijnë në një klimë të tensionuar politike pas zgjedhjeve parlamentare, ku partitë arabe kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe kanë siguruar gjithsej 19 vende në Knesset, duke fituar një rol të rëndësishëm në negociatat për formimin e qeverisë së re.

