Administrata Trump ka zbuluar atë që e cilëson si mbi 8 miliardë dollarë pagesa ndërkufitare me transfertë bankare, potencialisht mashtruese, të kryera nën drejtimin e agjentëve të huaj. Në kuadër të kësaj çështjeje, ajo ka nxjerrë udhëzime të reja për organizatat jofitimprurëse që marrin fonde nga jashtë, ka ekzekutuar disa urdhërkontrolle të FBI-së dhe po përgatit një aktakuzë të gjerë.
Rrjeti për Luftimin e Krimeve Financiare (FinCEN), në varësi të Departamentit amerikan të Thesarit, bëri të ditur se kishte identifikuar transferta bankare të dyshimta gjatë periudhës 2021–2025, të cilat ishin kryer përmes kompanive të shërbimeve financiare me bazë në SHBA, me udhëzimin e agjentëve të huaj, shkruan Fox.
“Kur lakmia bashkohet me neglizhencën, vuajnë qytetarët amerikanë”, deklaroi sekretari i Thesarit, Scott Bessent, në një komunikatë për Fox News Digital. “Nën udhëheqjen e Presidentit Trump dhe zëvendëspresidentit Vance, Departamenti i Thesarit ndaloi afro 190 milionë dollarë fonde të lidhura me mashtrime të kryera jashtë vendit dhe u ktheu viktimave amerikane më shumë se 100 milionë dollarë.
“Ne po punojmë me Task-Forcën e Shtëpisë së Bardhë për Eliminimin e Mashtrimeve, me qëllim parandalimin e përsëritjes së abuzimeve të tilla, në Minesota apo kudo tjetër”.
Bessent, drejtori i FBI-së Kash Patel, administratori i Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, si dhe kryetari i Komisionit Federal të Tregtisë, Andrew Ferguson, mbajtën një konferencë për shtyp në Minesota, ku dhanë hollësi mbi mashtrimet në shkallë të gjerë të zbuluara dhe veprimet e ndërmarra nga zyra e FBI-së në këtë shtet.
Departamenti i Thesarit publikoi një njoftim ku u kërkon bankave të kontrollojnë me kujdes donatorët e organizatave jofitimprurëse, burimet e financimit të tyre dhe lidhjet me organizata apo qeveri të tjera. Sipas FinCEN, këto skema mund të fshehin përfituesit përfundimtarë të fondeve dhe të shfrytëzohen potencialisht për pastrim parash ose financim të terrorizmit.
Në njoftim theksohet se aktorët keqdashës kryejnë mashtrime në tri forma abuzimi: përmes organizatave bamirëse fiktive, të cilat dyshohet se devijojnë fondet drejt veprimtarive të paligjshme; përmes mashtrimeve të lidhura me bamirësinë, nga të cilat përfitojnë financiarisht personat që drejtojnë skemën; si dhe përmes përvetësimit të fondeve nga persona të brendshëm në organizata legjitime.
Salim Said, bashkëpunëtor në komplotin e njohur si çështja “Feeding Our Future”, u dënua këtë javë me 30 vite burg, pasi u shpall fajtor për 21 akuza në lidhje me një skemë që i shkaktoi një programi federal të ushqyerjes së fëmijëve një dëm prej 49 milionë dollarësh.
Në fund të vitit të kaluar, raportimet dhe publikimet në rrjetet sociale nga Nick Shirley nxorën në pah një rrjet qendrash për kujdesin ndaj fëmijëve, siç ishte “Quality Learing (sic) Center”, të cilat dyshohej se ishin fiktive dhe drejtoheshin kryesisht nga emigrantë somalezë.

Raportimet shkaktuan reagim të shpejtë nga administrata, ndërsa ish-sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dërgoi agjentë të këtij departamenti dhe të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në rrugët e Minneapolisit, me qëllim kapjen dhe deportimin e emigrantëve somalezë që ndodheshin ilegalisht në vend.
Ky dislokim shkaktoi përplasje mes banorëve vendas dhe agjentëve federalë, të cilat më pas degjeneruan në trazira të dhunshme në të gjithë zonën metropolitane të dy qyteteve, Minneapolis dhe Saint Paul.
Sekretari i Thesarit ka kritikuar më parë mashtrimet dhe aktorët keqdashës që financojnë organizatat jofitimprurëse në SHBA. Në prill, Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) shtrëngoi kërkesat për raportimin e organizatave të përjashtuara nga taksat, në përpjekje për të zbuluar financimin e organizatave jofitimprurëse që përdoret për “veprimtari ekstremiste” dhe “fshehjen e mashtrimeve”.
“Statusi i përjashtimit nga taksat nuk përbën imunitet ndaj kontrollit”, shkroi në një deklaratë Ken Kies, ndihmëssekretar i Thesarit dhe njëkohësisht këshilltar i përkohshëm kryesor ligjor i IRS-së. “Nëse një organizatë merr fonde publike ose donacione të zbritshme nga taksat, ajo duhet të jetë e gatshme të tregojë se kush e kontrollon paranë dhe ku përfundon ajo”.
Bessent është përfshirë gjithashtu në hetimin e një jurie të madhe federale të Departamentit të Drejtësisë, që lidhet me rrjetin e organizatave jofitimprurëse të Neville Roy Singham.
Burime në Departamentin e Thesarit i thanë Fox News Digital se Bessent u takua me drejtorin ekzekutiv të Goldman Sachs, David Solomon, dhe diskutoi me të llogaritë që Singham kishte pasur më parë në këtë bankë. Sipas raportimeve, Singham i kishte përdorur këto llogari për të shpërndarë fonde drejt një numri organizatash jofitimprurëse.
Singham, një shtetas amerikan 72-vjeçar, i cili e shiti kompaninë e tij të teknologjisë për 785 milionë dollarë në vitin 2017 dhe aktualisht jeton në Shangai, ka derdhur 278 milionë dollarë në një rrjet të gjerë organizatash jofitimprurëse që nga viti 2017, sipas një investigimi të Fox News Digital.
Këto organizata organizojnë dhe marrin pjesë rregullisht në protesta kundër ICE-së, kundër Izraelit dhe në mbështetje të Iranit.