Rusia është e përgatitur për një luftë me Evropën, por nuk dëshiron një konflikt të tillë, deklaroi Vladimir Putin. Duke folur pas një bisede telefonike me udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës, presidenti rus tha se mbështet hapat që synojnë rivendosjen e marrëdhënieve me vendet evropiane.
Megjithatë, ai shtoi se Rusia është e përgatitur për një luftë të mundshme me Evropën, duke paralajmëruar se, nëse tensionet përshkallëzohen tej mase, nuk do të ketë fitues, shkruan The Telegraph.
“Ne jemi të gatshëm, por nuk duam asnjë luftë me Evropën. [Por] nëse disa prej tyre duan të përgatiten për luftë, le ta bëjnë”, tha ai, duke iu përgjigjur përgatitjeve të vendeve perëndimore për një konflikt të mundshëm me Rusinë deri në vitin 2030.
Në dhjetor të vitit 2025, Putini kishte shprehur një qëndrim të ngjashëm, duke deklaruar: “Ne nuk po planifikojmë të luftojmë me Evropën. Por nëse Evropa vendos papritur të zhvillojë luftë kundër nesh dhe e nis atë, ne jemi të gatshëm që tani”.
Të enjten, Putini tha se Perëndimi kishte dështuar në arritjen e objektivit të tij për të siguruar humbjen strategjike të Rusisë.
“Nëse arrihet deri te një luftë mes Rusisë dhe Evropës, nuk do të ketë fitues”, deklaroi presidenti rus. Ai u bëri thirrje vendeve evropiane “të mos e harrojnë këtë”.
Në fillim të kësaj jave, Putini zhvilloi biseda telefonike me presidentin finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Støre.
Udhëheqësi rus tha se nisma për këtë telefonatë kishte ardhur nga liderët evropianë dhe i cilësoi diskutimet si një hap në drejtimin e duhur.
Një raport i shërbimeve amerikane të inteligjencës, i publikuar pas rrjedhjes së tij në media gjatë verës, sugjeronte se Rusia mund të sulmonte krahun lindor të NATO-s brenda disa javësh, për të testuar vendosmërinë e aleancës.
Zyrtarët amerikanë besonin se Putini mund të përpiqej të përshkallëzonte tensionet përmes një inkursioni të kufizuar tokësor, me gjasë në një nga vendet baltike, ose duke ndërmarrë sulme kibernetike në të gjithë Evropën Lindore.
Pavarësisht deklaratave se nuk dëshiron luftë me Evropën, Rusia prej muajsh po teston vendet evropiane dhe NATO-n përmes një sërë sulmesh hibride, përfshirë shpërthime dronësh në vendet fqinje.