Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paraqitur katër propozime për forcimin e garancive ligjore ndaj të miturve që bien në kontakt me organet ligjzbatuese, në një kohë kur debati për përfshirjen e fëmijëve në protestat e javëve të fundit është rikthyer në vëmendje.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Gogu propozoi që çdo i mitur të pajiset me një formular të drejtash të shkruar në gjuhë të kuptueshme për moshën e tij, përpara se të merret në pyetje. Ai kërkoi gjithashtu që fëmijës t’i sigurohet avokat pa vonesë, të njoftohet në kohë punonjësi i mbrojtjes së fëmijës dhe institucionet të mbledhin të dhëna të përbashkëta për zbatimin e këtyre garancive.
Ministri i lidhi propozimet me situatën e krijuar pas episodeve të dhunës gjatë protestave, duke theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore duhet të mbrohet, ndërsa aktet e dhunshme duhet të kenë përgjegjësi.
“Protesta paqësore mbrohet. Dhuna ka përgjegjësi. Në këtë përgjigje, Ministria e Drejtësisë mban një pjesë të veçantë: fëmijën”, deklaroi Gogu.
Ai bëri të ditur se projekti i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për të Miturit 2027–2030, i hartuar me asistencën teknike të UNICEF-it, ndodhet në fazën e konsultimit publik deri më 22 nëntor. Sipas ministrit, në këtë proces duhet të dëgjohen edhe vetë fëmijët, në kuadër të aktiviteteve që lidhen me 20 nëntorin, Ditën e të Drejtave të Fëmijës.
Një tjetër drejtim i punës së Ministrisë së Drejtësisë është transformimi i institutit për të miturit, me synimin për të ndërtuar një model që i jep më shumë rëndësi arsimimit, rehabilitimit dhe rikthimit të tyre në familje. Paralelisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po hartohen plane për parandalimin e problematikave në shkolla.
Gogu e cilësoi këtë angazhim si pjesë të qasjes së drejtësisë sociale që po ndërmerr institucioni që drejton.
“Drejtësia duhet të arrijë te fëmija, edhe kur familja e tij nuk ka avokat, nuk ka lidhje, apo nuk di ku të trokasë”, u shpreh ministri.
Në përfundim, ai theksoi se qëllimi i trajtimit të të miturve nga sistemi i drejtësisë duhet të jetë rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre, jo thjesht ndëshkimi.
“Fëmija që ka gabuar duhet të dalë nga takimi me drejtësinë me shkollë, me profesion dhe me familjen pranë, jo me një dosje më shumë”, tha Gogu.

