Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar zgjatjen e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkolla deri në orën 17:00, duke njoftuar se masa do të nisë të zbatohet nga viti i ardhshëm. Deklarata vjen pas protestave të dhunshme të javëve të fundit, të cilat Rama i ka lidhur me shqetësimet për mënyrën se si një pjesë e shoqërisë po e trajton dhunën.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, kreu i qeverisë kritikoi atë që e cilësoi si relativizim dhe justifikim të akteve të dhunshme. Ai kërkoi një angazhim më të madh të institucioneve dhe shoqërisë civile për parandalimin e dhunës dhe krijimin e më shumë mundësive për angazhimin e fëmijëve në aktivitete jashtë mësimit.
“Jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci, që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar”, u shpreh Rama.
Në vijim, ai theksoi nevojën për zgjerimin e aktiviteteve sportive, kulturore dhe artistike, duke përfshirë pikturën, fotografinë, zejet dhe veprimtaritë skenike.
“Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh dhe shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve, nga sporti te kultura, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë”, deklaroi kryeministri.
Rama bëri të ditur se për zgjatjen e orarit shkollor është parashikuar një buxhet, me argumentin se kjo do t’u mundësojë prindërve të vijojnë punën, ndërsa fëmijët do të qëndrojnë në mjediset e shkollës deri në fund të pasdites.
“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, tha Rama.

