Zv/ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara gjatë ditëve të fundit, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmet e shkaktuara ndaj institucioneve shtetërore, efektivëve të Policisë së Shtetit dhe pronës private.
Në një intervistë për Klan News, Qefalia u shpreh se pamjet e protestuesve dhe punonjësve të policisë të lënduar janë shqetësuese, ndërsa nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë një mënyrë për të arritur ndryshimin politik. “Është për të ardhur keq, sepse ne jemi një vend i konsoliduar në demokraci. Ndërrimi i pushtetit nuk bëhet me dhunë”, deklaroi ai.
Duke komentuar situatën e krijuar gjatë tubimeve, zëvendësministri e cilësoi të papranueshme dëmtimin e institucioneve publike, përfshirë gjykatat dhe ministritë, si dhe sulmet ndaj efektivëve të policisë apo pronës private. “Nuk mund të dëmtohet objekti i gjykatës, ministria, nuk mund të dëmtohet prona private, nuk mund të dëmtohet polici, sepse në fund të fundit jemi të gjithë shqiptarë”, u shpreh Qefalia.
Sa i përket zhvillimeve politike dhe procesit të integrimit europian, ai garantoi se mazhoranca po vijon punën për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, vijimi i procesit të negociatave dhe mbyllja e kapitujve përbëjnë tregues të angazhimit të qeverisë për të ecur përpara drejt integrimit. “Ne vazhdojmë të qeverisim me të njëjtin ritëm duke miratuar dhe duke mbyllur kapitujt drejt BE dhe kjo tregon se kjo mazhorancë është në rrugën e duhur”, përfundoi zëvendësministri.
