Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florjan Binaj dhe Dojna Mema

‘Unë kam parë’

21:07, 30/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Osman Stafa - Piranjat 

Ishte 17 vjeç. Fytyrën e kishtembuluar me maskë. Vetëm sytë i dukeshin.

E pyeta: “Pse proteston?”

“Nuk e kam parë babanë as për festa, as për Vit të Ri, as për ditëlindje. Punon në ndërtim, në Gjermani. Iku që unë dhe motra ime të kishim një të ardhme.”

Pastaj më la. Mori një gur. Dhe e hodhi drejt policisë.

Nuk e di ku përfundoi ai gur.

Por e di historinë e dorës që e hodhi.

Kam mbi 150 ditë mes protestuesve.

Kam parë vajza që goditeshin me ujë e nuk largoheshin. Studentë që qëndronin mes gazit lotsjellës të lëshuar si shi mes studentëve e gjimnazistëve.

Kam parë një protestues të maskuar që hidhte gurë. Mendova se ishte djalë.

Ngriti maskën.

“Jam vajzë. Gjyshërit i kam të paralizuar. Ndihma që u jep shteti nuk u mjafton as për ilaçe.”

Kam pare një 27-vjeçar të kthyer nga Anglia.

“Ika me kamion. Pagova 8 mijë paund. Asnjë shok i rinisë nuk më ka mbetur në Shqipëri.”

Kam parë një djalë me leuçemi.

“Jetën ia kam borxh Italisë. Po të ishte për Shqipërinë, mbi varrin tim do të kishin mbirë lule.”

Kam parë studentë mjekësie që fshihnin fytyrat. Nuk duan të largohen nga Shqipëria, por nuk shohin të ardhme këtu.

Kam parë fëmijë që prindërit u kërkonin të mos protestonin.

Sepse kishin frikë.

Frika që dikur ua kishin mësuar atyre, tani po u trashëgohej fëmijëve.

 

Por kam parë edhe anën tjetër të gurit.

Kam parë policë që lotojnë.

Policë që kanë fëmijë në emigrim. Që kanë prindër me pensione të vogla. Që përballen me të njëjtat çmime, të njëjtat spitale, të njëjtat halle.

Çfarë ndodh kur një njeri që nuk ka parë babanë prej vitesh, hedh një gur drejt një njeriu që ndoshta nuk ka parë fëmijën e tij prej muajsh?

Njëri ka një gur në dorë.

Tjetri një mburojë, plumba gome, gaz kimik, shkopin e gomës.

Por në fund të ditës, të dy kthehen te të njëjtat probleme.

Dhe ndërsa ata përplasen në rrugë, ka të tjerë që e ndjekin përplasjen nga ekranet.

Nuk u bie gazi në sy.

Nuk u bien gurët mbi trup.

Nuk u mungojnë ilaçet në shtëpi.

Janë ata që qeverisin. Pushtetarët, të korruptuarit.

Ata që duhet të japin llogari për korrupsionin, për paratë publike, për spitalet, për varfërinë, për të ardhmen e këtij vendi.

Por ata nuk duan ta bëjnë. As përgjegjësi të mbajnë.

Shqipëria ka para.

Dhe paratë e Shqiptarëve shkojnë për spektakle, për Kanye Ëest, pêr Kopshtin Eden, për gaz lotsjellës e plumba gome. Nuk gjenden për ata që kanë nevojë, për fëmijēt jetimë, për ata me aftesi ndryshe, per gjyshërit tanë pensionistë, per fermerët.

Korrupsioni është bërë institucioni më i madh i këtij vendi.

Pa adresë. Pa ndërtesë. Pa tabelë.

Por me dyer që hapen më lehtë se çdo derë e ketij shteti.

Këta të rinj janë rritur duke njohur pothuajse vetëm Edi Ramën si kryeministër.

Janë rinia e qeverisjes së tij.

Dhe sot, zemërimi i studentëve përplaset me dhunën shumëvjeçare që politika ka ushtruar ndaj tyre.

Por unë kam parë edhe diçka tjetër.

Kam parë një brez që nuk pranon të trashëgojë frikën e prindërve.

Një brez që nuk kërkon të largohet, por të qëndrojë. Që nuk kërkon favore, por të drejta. Që nuk kërkon një Shqipëri vetëm për vete, por për të gjithë.

Edhe për policin që sot ka përballë.

Sepse ai 17-vjeçari nuk duhet ta kërkojë babanë në Gjermani.

Ajo vajza nuk duhet të zgjedhë mes bukës dhe ilaçeve të gjyshërve.

Ai djali me leuçemi nuk duhet t'ia ketë borxh jetën një shteti tjetër.

Dhe polici nuk duhet të jetë mburoja pas së cilës fshihen përgjegjësit e këtij realiteti.

Unë nuk e di se kur do të ndryshojë Shqipëria.

Por di se asnjë vend nuk ndryshon duke i mësuar studentët të heshtin.

Dhe në këto mbi 150 ditë, unë kam pare diçka që nuk e kasha pare më parë.

Kam parë frikën të ndërrojë anë.

Kam parë të rinj që nuk duan më të ulin kokën.

Që duan ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre.

Dhe ndoshta, një ditë, ai 17-vjeçari nuk do të ketë më nevojë të mbajë një gur në dorë.

Do të mbajë dorën e babait të tij.

Në Shqipëri.

Unë dua ta shoh atë ditë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco