Papa Leo XIV është bërë kreu i parë i Kishës Katolike që voton në zgjedhjet e përgjithshme në SHBA, duke hedhur votën me postë në një proces zgjedhor që do të përcaktojë të ardhmen politike të Amerikës, ndërsa epoka Trump po shkon gradualisht drejt fundit.
Vatikani konfirmoi të premten se Papa, i lindur në Çikago, kishte dorëzuar një fletëvotim me postë në qytetin e tij, përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, duke përmendur bindjen e tij të kahershme për rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare, shkruan AP.
Leo, emri i mëparshëm i të cilit ishte Robert Prevost, “ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar si shtetas i Shteteve të Bashkuara”, ashtu siç ka bërë “sa herë që ka pasur të drejtë ta bëjë këtë”, deklaroi zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë.
Në deklaratë thuhej se ai kishte votuar gjithashtu edhe gjatë kohës që jetonte në Peru, ku kishte shërbyer për më shumë se 20 vjet si prift misionar dhe peshkop.
“Ati i Shenjtë shpreh bindjen e tij për të drejtën dhe detyrimin e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike”, thuhej më tej në deklaratë.
Leo ka shtetësi amerikane dhe peruane, si dhe është kreu i shtetit të një vendi të huaj, Selisë së Shenjtë. Ky shtet-qytet është një monarki absolute, ku nuk zhvillohen zgjedhje politike.
Ligji federal amerikan u lejon shtetasve që jetojnë jashtë vendit, edhe atyre që punojnë për qeveri të huaja, të votojnë përmes fletëvotimeve në mungesë. Amerikanët që punojnë për qeveri të huaja nuk rrezikojnë automatikisht humbjen e shtetësisë amerikane, megjithëse Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron në faqen e tij zyrtare se mund të “shqyrtojë në mënyrë aktive” statusin e shtetësisë së amerikanëve që “shërbejnë si kryetarë shtetesh të huaja, kryeministra të huaj ose ministra të Jashtëm të huaj”.
Në këto zgjedhje, votuesit e Illinoisit po vendosin nëse do ta rizgjedhin guvernatorin e shtetit, JB Pritzker, për një mandat të tretë. Ata po zgjedhin gjithashtu një senator të ri për vendin e lënë bosh pas tërheqjes nga politika të senatorit demokrat dhe katolik prej shumë kohësh, Dick Durbin. Në fletëvotimin e Illinoisit nuk ka çështje të tjera që kërkojnë votim në nivel shtetëror.
Presidenti Donald Trump nuk është kandidat në këto zgjedhje, por ka zhvilluar një fushatë intensive për të ruajtur kontrollin republikan mbi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij të dytë.
Papa, i regjistruar si votues në një adresë në New Lenox, Illinois, kërkoi fletëvotimin me postë më 3 tetor, deklaroi të premten Kim Fladhammer, shefi i kabinetit të sekretarit të qarkut Will. Kërkesa u raportua fillimisht nga gazeta Chicago Sun-Times.
Kërkesa u bë vetëm 10 ditë përpara se Leo t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një tumori kanceroz nga mushkëria e tij e djathtë. Pas daljes nga spitali më 17 tetor, Papa ka nisur gradualisht të rifillojë aktivitetet e tij në Vatikan.
Nuk dihet se si Papa e ka kthyer fletëvotimin. Vëllai i tij më i madh, John Prevost, ndodhej këtë javë në Romë, ku shoqëronte besimtarë nga famullia e Shën Judës në New Lenox të Illinoisit, e drejtuar nga augustinianët. Vëllai i madh i Papës merr pjesë në meshë në këtë famulli, ndërsa vetë Leo kishte mbajtur një fjalim atje në vitin 2024, kur ishte ende kardinal.
Votat e mëparshme të Prevost kanë shkuar si për demokratët, ashtu edhe për republikanët
Që nga viti 2000, Robert Prevost ka votuar në pesë zgjedhje paraprake partiake. Sipas të dhënave të Bordit të Zgjedhjeve të Illinoisit, ai ka kërkuar dy herë fletëvotim demokrat dhe tri herë fletëvotim republikan.
Të dhënat nuk tregojnë se cilët kandidatë ka mbështetur ai. Votuesit në Illinois duhet të deklarojnë parapëlqimin e tyre partiak për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake. Një deklarim i tillë nuk kërkohet në zgjedhjet e përgjithshme.
Kur ishte i regjistruar si votues në kontenë Cook, një zonë ku demokratët kanë mbështetje të gjerë, Prevost kërkoi fletëvotime për zgjedhjet paraprake demokrate në vitet 2008 dhe 2010. Pas zhvendosjes në kontenë periferike Will, me prirje më konservatore, ai kërkoi fletëvotime për zgjedhjet paraprake republikane në vitet 2012, 2014 dhe 2016.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se ai ka dorëzuar fletëvotimin në çdo palë zgjedhje të përgjithshme që nga viti 2000, me përjashtim të atyre të viteve 2020 dhe 2022.
Përplasjet me Trump
Që prej zgjedhjes së tij si Papë, Leo ka tërhequr kritika nga Trump për shkak se ka dënuar vazhdimisht luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe ka bërë thirrje për trajtim dinjitoz të emigrantëve, pas fushatës së ashpër të administratës Trump dhe programit të deportimeve masive.
Në fillim të këtij viti, Trump e cilësoi Leon si “të dobët” dhe të kapur nga “e majta radikale”, duke shkaktuar një shkëmbim të pazakontë akuzash publike, i cili dominoi vizitën e Papës në Afrikë gjatë muajit prill.
Duke iu përgjigjur Trumpit, Leo u tha gazetarëve gjatë udhëtimit drejt Algjerisë: “Nuk kam frikë nga administrata Trump dhe as të flas hapur për mesazhin e Ungjillit, për të cilin punon Kisha”.
Në muajt e fundit, përplasja publike mes tyre është zbutur.
“Ne përpiqemi t’i lëmë gjërat të kalojnë kur ka keqkuptime”, u tha gazetarëve këtë javë ministri i Jashtëm i Vatikanit, kryepeshkopi Richard Paul Gallagher. “Me këdo qoftë, do të përpiqeshim t’i qaseshim situatës duke thënë: ‘Në rregull, mund të ketë një keqkuptim, le të ecim përpara dhe të përpiqemi të rindërtojmë besimin dhe mirëbesimin’”.
Leo dhe Trump nuk kanë zhvilluar asnjë bisedë telefonike që nga zgjedhja e Papës në maj të vitit 2025. Megjithatë, javën e kaluar, Leo bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për krizën humanitare në qytetin ukrainas të Oleshky-t.
I pyetur se përse Trump dhe Leo nuk kanë biseduar, Gallagher tha se Selia e Shenjtë ka gjetur një kanal të përshtatshëm komunikimi te ambasadori amerikan pranë Selisë së Shenjtë, Brian Burch, dhe se nuk ka pasur nevojë që ndonjë çështje të ngrihet në një nivel më të lartë.
Një Papë që ndjek nga afër politikën amerikane
Leo ka bërë të qartë në disa raste se ndjek nga afër politikën lokale dhe kombëtare të SHBA-së dhe se nuk ngurron të ndërhyjë në debatet publike.
Së fundmi, Leo rikonfirmoi qëndrimin zyrtar të Kishës, sipas të cilit dënimi me vdekje është “i papranueshëm”. Ai e bëri këtë deklaratë në një postim në rrjetet sociale me rastin e Ditës Botërore Kundër Dënimit me Vdekje, në një kohë kur SHBA njoftoi planet për të transmetuar drejtpërdrejt një ekzekutim me pushkatim. Planet u anuluan më vonë.
Në vitin 2025, Leo ndërhyri në debatin mbi abortin, pasi kardinali i Çikagos, Blase Cupich, njoftoi planet për t’i dhënë senatorit Durbin një çmim për arritjet e jetës. Këto plane kundërshtoheshin nga disa peshkopë konservatorë amerikanë, për shkak të mbështetjes së senatorit demokrat me ndikim për të drejtën e abortit.
Leo bëri thirrje për respektimin e të dyja palëve, por vuri në dukje gjithashtu kontradiktën mes personave që e cilësojnë veten “mbrojtës të jetës” dhe që, në të njëjtën kohë, mbështesin dënimin me vdekje.
Po në vitin 2025, Leo u shpreh se ishte “shumë i zhgënjyer” që shteti i tij i lindjes, Illinois, miratoi një ligj që lejon dhënien e ndihmës mjekësore për t’i dhënë fund jetës, praktikë që dënohet nga Kisha Katolike.
Konferenca e Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së, në një reagim pas konfirmimit se Leo do të votonte në zgjedhjet e mesmandatit, u bëri thirrje katolikëve që të vendosin “besimin tonë përpara politikës” dhe të mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët.
“Si katolikë dhe amerikanë, jemi të bekuar që kemi mundësinë të marrim pjesë në jetën politike dhe publike të vendit tonë”, deklaroi Chieko Noguchi, drejtoresha e marrëdhënieve me publikun e konferencës. “Përmes votimit, Ati ynë i Shenjtë jep një shembull që i nxit të gjithë qytetarët të përmbushin përgjegjësinë e tyre qytetare”.