Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur shpresën se Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut do të arrijnë një ditë të kapërcejnë ndarjen mes tyre, duke marrë si shembull përvojën e ribashkimit të Gjermanisë 36 vite më parë.
Gjatë një vizite në zonën e çmilitarizuar (DMZ), që ndan dy shtetet koreane, Merz kujtoi pasojat e ndarjes së vendit dhe dëshirën për rikthimin e unitetit kombëtar.
“Le të shpresojmë që edhe Koreja të ketë një ditë mundësinë të rifitojë unitetin shtetëror”, deklaroi kancelari gjerman.
“Edhe në këtë vend mund të kuptohet se sa shumë vuan një vend nga ndarja dhe sa e madhe është dëshira për ribashkim, të paktën në këtë pjesë të gadishullit korean”, shtoi ai.
Gadishulli korean mbetet i ndarë që prej përfundimit të Luftës së Koresë, në vitin 1953. Në njërën anë ndodhet Koreja e Veriut, e drejtuar nga Kim Jong Un, ndërsa në jug është Republika e Koresë, një shtet demokratik.
Vija kufitare shtrihet përgjatë 248 kilometrave, pranë paralelit të 38-të, dhe përshkohet nga një zonë e çmilitarizuar me gjerësi rreth dy kilometra.
Gjatë vizitës, Merz pa nga afër edhe kazermat ikonike blu, të vendosura pikërisht mbi vijën e demarkacionit, ku zhvillohen takimet e drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të dy Koreve. Në këtë pikë, në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un shtrënguan duart.
Ky takim shënoi herën e parë që një udhëheqës i Koresë së Veriut kishte shkelur në territorin jugor, qoftë edhe për pak hapa. Gjatë vizitës së tij, Merz qëndroi për disa çaste edhe në anën verikoreane, brenda njërës prej këtyre ndërtesave.
Kjo pikë në zonën e çmilitarizuar mbetet i vetmi vend ku mundësohet kalimi i drejtpërdrejtë mes dy Koreve.

