Nga Anila Sulstarova - Piranjat
Unë, Edi Rama, kërkoj falje publike!
Kërkoj falje publike që pata më shumë nevojë ta shihja vendin tonë si një kartolinë për të huajt, sesa të kuptoja si ndiheshin njerëzit që jetonin brenda asaj kartoline.
Kërkoj falje që, edhe pse shihja sinjale që bashkëpunëtorët e mi të afërt po pasuroheshin, i racionalizoja dhe i arsyetoja. Dhe acarohesha që kjo ju revoltonte:
-pakënaqësitë i dëgjova si sulm,
dëshpërimin si ankesë dhe - zemërimin si mungesë mirënjohjeje.
Kërkoj falje që pasurinë e disave e përdora si provë të mirëqenies së të gjithëve. Mund të kemi hotele dhe biznese shumë të suksesshme. Por kemi edhe njerëz jashtëzakonisht të lodhur, që nuk do arrijnë kurrë të kenë një shtëpi të tyren. Lodhja e tyre nuk zhduket ngaqë nuk del në fotografi.
Kërkoj falje për një Tiranë ku ngritëm kulla dhe humbëm oborre. U kërkoj falje fëmijëve që mësuan të rriten vetëm, sepse kuptuan lodhjen e prindërve përpara se të kuptonin nevojat e tyre.
Shitësit e minimarketeve mbajnë fletore me emra, bukë, qumësht, vezë, shuma të vogla që nuk paguhen kurrë. Që kanë nevojë t’i kërkojnë paratë, por e dinë se pas secilit emër është një njeri që nuk mund të paguajë.
Në ato fletore është shkruar një Shqipëri që unë nuk e futa në kartolinë.
U kërkoj falje të rinjve që lejova modelin ku për të ecur përpara duhet të njohësh dikë, t’i detyrohesh dikujt, të shitesh nga pak, ose të lësh Shqipërinë.
U kërkoj falje mjekëve të onkologjisë, që i vura përballë sfidës kujt t’i japin ilaçin e kujt t’i thonë të presë.
Pacientëve,që përpos dhimbjes së tyre duhet të durojnë braktisjen e shtetit.
U kërkoj falje grave shqiptare për performancat e mia politike duke u ulur në gjunjë kryeministreve të botës, por jo para tyre.
Disave u dhashë pozicione drejtuese, por kërkova që autoriteti i tyre të mos sfidonte timin. Sepse një grua nuk është e fuqizuar vetëm kur i jep një post. Është e fuqizuar edhe kur mund të të thotë «jo», pa pasur frikë nga pasojat.
Kërkoj falje atyre që dolën të mbronin natyrën, jo sepse ishin kundër zhvillimit, por kundër shkatërrimit; dhe studentëve të tetorit që protestojnë jo për privilegje, por për të drejtën për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre.
U kërkoj falje policëve që i vura përballë njerëzve të cilët kanë po ato halle si ata.
Kërkoj falje që nuk zhvillova jetën kulturore, por jetën e ahengjeve; që ngatërrova artin me spektaklin dhe kulturën me promovimin turistik.
Dikur i shanjë artist rebel, por nga njeriu që nuk i nënshtrohej autoritetit, u bëra njeriu që kërkonte nënshtrim.
Ndoshta ky është paradoksi më i madh i jetës sime: nuk më ndryshoi mungesa e lirisë. Më ndryshoi pushteti që fitova.
Imagjinoni: edhe Vuçiçi më sheh si një aset për Shqipërinë.
Dhe unë kam frikë të pyes veten: çfarë kam bërë për Kosovën, qenë sytë e tij të jem kaq i dobishëm?
Unë, Edi Rama,
pas kësaj 'mea culpa',
jap dorëheqjen si kryeministër i Shqipërisë.
Dhe kërkoj falje sidomos atyre që dikur besuan tek unë. Sepse nuk i zhgënjeva vetëm për atë që nuk bëra.
I zhgënjeva edhe për atë që u bëra.
Mirëmbrëma.
Unë jam Anila Sulstarova.
Mea culpa.
Për një çast besova se njeriu që dikur guxonte të sfidonte autoritetin dhe pushtetin, do të kishte kurajon të sfidonte edhe pushtetin e vet.
© SYRI.net