Nën vëzhgim, kufiri i hollë mes mbrojtjes dhe rrezikut

Kamerat vendosen për të na mbrojtur, por çfarë ndodh kur ato kthehen në kërcënim për privatësinë dhe sigurinë tonë? Ngjarjet e fundit në vend kanë rikthyer vëmendjen te një çështje shumë më e gjerë: kamerat janë tashmë kudo, në biznese, zyra, pallate e ambiente shërbimi, duke regjistruar çdo ditë një pjesë të konsiderueshme të jetës sonë. Një fjalëkalim i pandryshuar, një instalues që ruan aksesin apo një telefon i komprometuar mund ta kthejë kamerën në pikën më të dobët të sigurisë së një biznesi, duke ekspozuar jo vetëm pamjet, por edhe sistemet e tij financiare. Kuadri i rishikuar ligjor në Shqipëri vendos kufij për përdorimin e kamerave, përfshirë mbikëqyrjen në kohë reale nga telefoni. Të 65 ankesat që janë trajtuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë periudhës 2025 – tetor 2026, çka tregojnë se administrimi mbetet problematik. Në një realitet ku kamerat janë bërë dëshmitare të heshtura të jetës sonë të përditshme, pikëpyetjet që lindin janë të shumta.
Nertila Maho
Kamerat janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Ato na ndjekin në hyrje të pallateve, në dyqane, restorante, zyra, qendra estetike dhe shërbimi. Madje, një kamera e mbajmë pothuajse gjatë gjithë kohës me vete, të integruar në telefonin celular, që rrallë na ndahet nga dora.
Të fotografosh apo të regjistrosh nuk ka qenë kurrë kaq e lehtë. Por, ndërsa kamerat bëhen gjithnjë e më të pranishme, lind një pyetje që rrallë bëhet: kush na mbron nga vetë kamerat?
Publikimi i disa videove private në Shqipëri, që përfshinin disa figura publike, por edhe rrjedhja në internet e disa pamjeve nga qendra estetike, sollën këtë shqetësim në qendër të vëmendjes. Diskutimi publik kur rrodhën videot u përqendrua kryesisht te personat që shfaqeshin në regjistrime dhe te përmbajtja e tyre.
Shumë më pak u fol për mënyrën se si pamjet, të regjistruara në ambiente private, mund të përfundojnë në internet, ku mund të shpërndahen brenda pak minutash dhe të jetë pothuajse e pamundur të zhduken plotësisht.
Rastet në fjalë nxorën në pah një problem që shkon përtej një apo dy incidenteve. Çdo kamerë krijon regjistrime që dikush i ruan, i administron dhe mund t’i shohë. Dhe sa më shumë njerëz apo pajisje të kenë akses në to, aq më shumë rritet rreziku që këto pamje të dalin jashtë kontrollit.
Nëse debatin e kalojmë në një prizëm më të gjerë, kamerat nuk janë më thjesht pajisje sigurie. Ato janë edhe sisteme që grumbullojnë të dhëna personale, shpesh të ndjeshme dhe që kërkojnë të njëjtën vëmendje si çdo infrastrukturë tjetër digjitale.
Një fjalëkalim i dobët, një instalues që vazhdon të ketë akses apo një telefon i komprometuar mund ta kthejë një mjet mbrojtjeje në burim rreziku.
Kështu, çështja nuk është vetëm nëse bizneset apo individët kanë të drejtë të vendosin kamera, por edhe nëse janë të afta t’i mbrojnë regjistrimet që mbledhin. Sepse siguria e një ambienti nuk mund të garantohet duke vënë në rrezik privatësinë e njerëzve që hyjnë në të.
Kamera të lira, siguri e brishtë dhe pasoja të shtrenjta
Besmir Semanaj, ekspert i teknologjisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike, i përshkruan sistemet e kamerave IP si “shumë të cenueshme”. Problemi, sipas tij, shpesh nuk qëndron te ndonjë sulm i sofistikuar, por te mënyra se si këto pajisje instalohen dhe më pas lihen pas dore.
“Shumica e bizneseve blejnë kamerën më të lirë, e lidhin me Wi-Fi dhe nuk e prekin më. Po, fjalëkalimi default, firmware i vjetër dhe portat e hapura mbeten problemi numër një”, thotë ai. Pajisjet që supozohet të mbrojnë një biznes mund të kthehen kështu në një nga pikat e tij më të dobëta.
Dobësitë bëhen të dukshme zakonisht kur dëmi ka ndodhur. Por edhe atëherë, një video e publikuar nuk provon domosdoshmërisht se sistemi është sulmuar nga hakerat. Pamjet mund të jenë marrë nga dikush që kishte akses të autorizuar ose përmes një llogarie të komprometuar. Për të zbuluar çfarë ka ndodhur, duhen gjurmët digjitale. “Hapi i parë është vetë videoja.
Një eksport origjinal nga NVR ka rezolucionin, formatin dhe timestamp-in e sistemit, kurse një filmim ekrani me telefon nuk i ka. Pastaj kryqëzohen logjet e NVR/cloud, logjet e router-it dhe historiku i llogarisë në app”, shpjegon z. Semanaj.
Nga ana tjetër, sistemet që nuk mirëmbahen për të parandaluar incidentet shpesh nuk ruajnë as informacionin e nevojshëm për t’i hetuar ato. “Pa log nuk ka hetim. NVR-të dhe cloud-i mund të regjistrojnë kush hyri, nga cila IP, kur pa dhe kur eksportoi.
Problemi është se te kamerat e lira, log-imet (hyrjet) ose nuk ekzistojnë, ose mbishkruhen pas disa ditësh”, paralajmëron ai. Kështu krijohet një paradoks: videoja mund të mbetet në internet për vite, ndërsa gjurmët që do të ndihmonin për të zbuluar burimin e saj zhduken brenda pak ditësh.
Edhe reagimi pas një rrjedhjeje është vendimtar. “Fillimisht ruhen provat. Mos fshi, mos formato dhe mos shkatërro asgjë”, këshillon z. Semanaj.
Sipas tij, fillimisht duhet të dokumentohen gjurmët dhe konfigurimet e sistemit, më pas të izolohet lidhja me internetin, të sigurohen llogaritë dhe të raportohet incidenti. Një përpjekje e nxituar për të ndalur rrjedhjen mund të zhdukë pikërisht provat që do të ndihmonin hetimin.
Kush i mban “çelësat” e kamerave dhe si të rritet siguria
Kontrolli teknik i një sistemi nuk është gjithnjë aq i ngushtë. Përveç tij, akses mund të kenë një administrator, punonjës i autorizuar, instaluesi, mirëmbajtësi, ose ofruesit e shërbimeve në distancë.
“Lista është shumë më e gjatë nga ç’mendon pronari”, thotë z. Semanaj. Sipas tij, në disa sisteme mbeten aktive llogari të krijuara gjatë instalimit, përfshirë llogari të ish-punonjësve, ndërsa aplikacionet e telefonit ndonjëherë përdoren nga disa persona me të njëjtat kredenciale.
Ai e përshkruan telefonin që mundëson vëzhgimin në distancë si çelësin e të gjithë sistemit. Nëse llogaria komprometohet dhe nuk ka verifikim me dy faktorë, një person i paautorizuar mund të shohë pamjet apo të marrë regjistrime nga larg.
Z. Semanaj këshillon llogari të veçanta për secilin përdorues dhe ndarje autorizimi pra kush ka akses në shikim në kohë reale, shikim të arkivit apo eksport të regjistrimeve. Aksesi i instaluesit, sipas tij, duhet të jetë i përkohshëm.
Problemi nuk mbaron te videot. Sipas ekspertit, kamerat IP janë pajisje kompjuterike të lidhura në rrjet; nëse ndajnë të njëjtin rrjet me arkën, kompjuterin e financës dhe pajisje të tjera të kompanisë, një dobësi e kamerës mund të ekspozojë edhe pjesë të tjera të infrastrukturës. Si masë mbrojtjeje, ai përmend ndarjen e rrjetit të kamerave nga sistemet e tjera dhe kufizimin e lidhjeve të jashtme.
Ruajtja e pamjeve në pajisjet e biznesit apo në cloud (serverë në internet) ka rreziqe të ndryshme.
Në rastin e parë, pajisja mund të mos jetë e mbrojtur siç duhet, ose mund të merret fizikisht nga persona të paautorizuar. Në rastin e dytë, siguria varet nga mbrojtja e llogarisë, kompania që ofron shërbimin dhe vendi ku ruhen të dhënat. “Asnjëra nuk është e sigurt vetvetiu”, thotë z. Semanaj.

Kufiri, ku mbaron siguria dhe fillon cenimi i privatësisë
Vendosja e kamerave nuk është thjesht çështje teknologjie apo sigurie, por edhe një përgjegjësi për mbrojtjen e privatësisë së njerëzve që regjistrohen. Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Udhëzimi nr. 3, datë 30 prill 2025, vendosin kufij për përdorimin e tyre.
Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sqaron se përpara instalimit, bizneset duhet të përcaktojnë zonat që do të filmojnë, afatin e ruajtjes së pamjeve dhe personat që do të kenë akses. “Rrethi i personave duhet të kufizohet e të jetë sa më i ngushtë të jetë e mundur”, thekson ai.
Por mbrojtja e pronës nuk i jep një biznesi të drejtën të filmojë gjithçka. Interesi i ligjshëm duhet të jetë real dhe i dokumentuar, ndërsa duhen shqyrtuar edhe mënyra më pak ndërhyrëse për të garantuar sigurinë.
Z. Dervishi kërkon “një vlerësim konkret të alternativave/analizë krahasuese të masave alternative, jo thjesht të deklarojë se nuk ka mjete të tjera”. Kamerat ndalohen në ambiente private, si tualetet, dushet dhe dhomat e zhveshjes, një kufi veçanërisht i rëndësishëm për bizneset që ofrojnë shërbime ku privatësia është thelbësore.
Kufizimet vlejnë edhe për punonjësit. Kamerat e instaluara për siguri nuk mund të përdoren pa kufizim për të kontrolluar performancën e tyre. “Monitorimi i vazhdueshëm për të vlerësuar performancën në punë, për të matur shpejtësinë, kohën e punës ose produktivitetin individual, është veçanërisht problematik dhe nuk justifikohet thjesht nga interesi i punëdhënësit”, shprehet z. Dervishi.
Përjashtime mund të ketë, si në transaksionet bankare apo proceset e prodhimit ushqimor, por vetëm kur mbikëqyrja është e nevojshme, proporcionale dhe e argumentuar.
Një tjetër pikë delikate është mundësia që pronarët apo administratorët t’i ndjekin kamerat drejtpërdrejt nga telefoni, edhe kur ndodhen larg biznesit. Z. Dervishi sqaron se udhëzimi ndalon mbikëqyrjen dhe transmetimin live përmes internetit kur personat mund të identifikohen lehtësisht.
As tabela “Ambient i survejuar” nuk mjafton për të përmbushur detyrimet ligjore. “Detyrimi për transparencë nga ana e kontrolluesit nuk përmbushet vetëm nëpërmjet vendosjes së tabelës së njoftimit”, thotë Dervishi. Njerëzit duhet të dinë kush i administron pamjet, pse ruhen dhe si mund të ushtrojnë të drejtat e tyre.
Madje, kur dikush kërkon një video ku shfaqen edhe persona të tjerë, biznesi “nuk duhet të bëjë refuzim automatik, por duhet të bëjë balancimin midis së drejtës për akses dhe së drejtës për privatësi të personave të tjerë”. Një kamerë mund të jetë vendosur për siguri, por kjo nuk i jep atij që e administron të drejtë të pakufizuar mbi pamjet që mbledh.
Çfarë ndodh kur sistemi dështon? 65 ankesa pranë Komisionerit
Shifrat e Komisionerit tregojnë se çështjet e video-survejimit janë tashmë objekt ankesash të vazhdueshme. Sipas z. Dervishi, institucioni ka trajtuar 35 ankesa gjatë vitit 2025 dhe 30 gjatë periudhës janar–tetor 2026, gjithsej 65.
Hetimet administrative kanë evidentuar probleme me vendosjen e kamerave, bazën ligjore, informimin, afatet e ruajtjes, administrimin e aksesit dhe procedurat e brendshme. Për këto problematika, institucioni ka dhënë 45 rekomandime dhe ka nxjerrë 10 vendime.
Për biznesin që përpunon pamjet, delegimi i instalimit apo mirëmbajtjes nuk e zhvendos automatikisht përgjegjësinë. Ai thekson se marrëdhënia me përpunuesit e jashtëm duhet të formalizohet me marrëveshje dhe se aksesi i tyre duhet të mbetet i nevojshëm, i kufizuar dhe i dokumentuar.
“Fakti që kontrolluesi ia ka deleguar instalimin, mirëmbajtjen ose hostimin një kompanie tjetër, nuk e shkarkon atë nga përgjegjësia për të garantuar kontrollin mbi aksesin në pamjet ÇTV”, shprehet ai.
Po kështu, afati 72 orë ose mundësia e ruajtjes deri në 30 ditë nuk janë një zgjedhje automatike e biznesit sipas kapacitetit të hardiskut. Komisioneri thotë se regjistrimet duhet të mbahen vetëm aq sa është e nevojshme për qëllimin e përcaktuar. Një pjesë e veçantë e videos mund të ruhet më gjatë si provë për një incident, kur kjo justifikohet.
Në rast cenimi të të dhënave personale, z. Dervishi sqaron se kontrolluesi duhet të njoftojë Komisionerin sa më shpejt, por jo më vonë se 72 orë pasi merr dijeni, përveç rastit kur nuk ka gjasa që cenimi të rrezikojë të drejtat dhe liritë e individëve. Kur rreziku është i lartë, duhet të njoftohen pa vonesë edhe personat e prekur.
A mund të kemi siguri pa humbur privatësinë?
Kamerat vendosen për të mbrojtur njerëzit, pronën dhe bizneset. Por ato mund të kthehen edhe në burim rreziku. Një sistem mund të jetë i sigurt nga sulmet kibernetike, por që të përdoret për të filmuar njerëzit në ambiente, privatësia duhet të jetë e garantuar.
Nga ana tjetër, një kamerë mund të jetë instaluar në përputhje me ligjin, por regjistrimet e saj mund të përfundojnë në duar të gabuara për shkak të mungesës së masave të sigurisë. Për bizneset, nuk mjafton vetëm instalimi i kamerave.
Përgjegjësia për atë që filmohet, mënyrën si ruhen pamjet dhe personat që mund t’i shohin ato vazhdon për aq kohë sa sistemi është në përdorim.
Për të kufizuar rreziqet teknologjike, eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj rendit disa masa themelore: autentikimin me dy faktorë, përditësimin e pajisjeve, kufizimin e lidhjeve të hapura në internet, ndarjen e rrjetit të kamerave nga sistemet e tjera të biznesit, përdorimin e llogarive individuale dhe regjistrimin e çdo aksesi.
Në rastet kur dyshohet se një sistem është komprometuar, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së provave dhe gjurmëve digjitale përpara çdo ndërhyrjeje, si dhe raportimin e incidentit pranë institucioneve përgjegjëse.
Për personat e prekur nga publikimi i pamjeve private, ai këshillon që materialet të mos shkarkohen apo rishpërndahen.
Nga ana ligjore, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, thekson se çdo sistem video-survejimi duhet të ketë një qëllim të qartë, të ligjshëm dhe proporcional.
Po aq të rëndësishme janë kufizimi i numrit të personave që mund të shohin regjistrimet dhe dokumentimi i aksesit në to. Ai sqaron se neni 31 i ligjit të ri, që parashikon vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave për përpunimet me rrezik të lartë, nuk ka hyrë ende në fuqi. Por, detyrimet për ligjshmërinë, transparencën dhe sigurinë e sistemeve të kamerave janë tashmë të zbatueshme.
Në një kohë kur kamerat janë bërë pjesë e zakonshme e mjediseve të punës, shërbimeve dhe hapësirave të përbashkëta, kufiri mes mbrojtjes dhe ekspozimit përcaktohet jo vetëm nga prania e tyre, por edhe nga mënyra se si administrohen regjistrimet.
LEXONI EDHE:
Besmir Semanaj: Kamerat mund të kthehen në pikën më të dobët të sigurisë, ja masat që duhen marrë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








