Këngëtarja shqiptaro-britanike Dua Lipa ka eksperimentuar sërish me stilin, duke zgjedhur një veshje të veçantë për ceremoninë e 16-të të çmimeve WSJ Innovator, të mbajtur më 29 tetor në Muzeun e Artit Modern në New York.
Artistja u shfaq me një komplet nga koleksioni i modës së lartë të Chanel për sezonin vjeshtë-dimër 2026, ku ndërthureshin tweed-i, puplat e zeza dhe aksesorët me karakter dramatik.
Veshja përbëhej nga një xhaketë me shpatulla të theksuara dhe një fund i ngushtë deri në gju. Materiali me nuancë të verdhë të zbehtë ishte zbukuruar me motive bimore, fije gri dhe ngjyrë fildishi, rruaza e xhufka dekorative.

Elementi që spikati më shumë ishte bordura me pupla të zeza në jakë dhe në mëngët e xhaketës. Pamjen, të realizuar në bashkëpunim me stilistin e saj prej kohësh, Lorenzo Posocco, Dua Lipa e kompletoi me këpucë të zeza sateni, çizme të zbukuruara me rruaza dhe një kapelë të zezë me strehë të gjerë, gjithashtu të dekoruar me pupla.
Edhe grimi ishte përshtatur me veshjen, me tone të ngrohta terrakote dhe bronzi, ndërsa buzët i kishte lyer në ngjyrë nude.
Në ceremoninë e këtij viti morën pjesë edhe emra të njohur të artit dhe modës, mes tyre Lupita Nyong’o, Cara Delevingne, A$AP Rocky dhe Christian Louboutin. Çmimi në kategorinë e muzikës iu dha këngëtares spanjolle Rosalía.
#DuaLipa #Chanel #Moda #NewYork #WSJInnovator

