Dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht studentë dhe punonjës, dolën të premten në rrugët e qyteteve në të gjithë Italinë, për të kërkuar paga më të larta dhe shërbime publike më cilësore, për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe për të kundërshtuar shtimin e shpenzimeve ushtarake, shkruan Reuters.
Sindikata e pavarur Unione Sindacale di Base (USB) bëri thirrje për një grevë të përgjithshme 24-orëshe, ndërsa protesta ishin planifikuar në më shumë se 40 qytete.
Demonstratat u zhvilluan pas përplasjeve në fillim të këtij muaji, gjatë të cilave protestuesit u përleshën me policinë, plaçkitën dyqane dhe dëmtuan prona. Megjithatë, protestat e së premtes ishin kryesisht paqësore, ndonëse në disa zona pati momente tensioni.
Në Torino, policia përdori topa uji për të zmbrapsur studentët dhe aktivistët e majtë që iu afruan kordonëve të sigurisë, të cilët mbronin ndërtesën e prefekturës.
Një marshim i madh kaloi pranë Koloseut në Romë, ku protestuesit thanë se planifikonin të ngrinin çadra dhe të qëndronin gjatë gjithë fundjavës. Disa kosha mbeturinash u vendosën nëpër rrugë dhe më pas u dogjën.

Në mbrëmje, një grup i madh protestuesish tentoi të marshonte drejt parlamentit, duke bërë që policia të përdorte topa uji për të shpërndarë turmën, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA. Sipas saj, tetë persona u ndaluan pasi tentuan vazhdimisht të çanin barrierat policore.
Në Milano, protestuesit marshuan drejt unazës rrugore të qytetit, përpara se ta përfundonin marshimin përpara Universitetit Politeknik të Milanos. Demonstruesit mbanin flakadanë dhe u vunë flakën disa objekteve.
Rreth 15 mijë punonjës të porteve, studentë dhe demonstrues të tjerë hynë në portin e Gjenovës, duke iu bashkuar protestave të ngjashme në Evropë dhe në vende të tjera kundër përdorimit të porteve për transportin e armëve. Ata ngritën gjithashtu shqetësimin për vdekjen e detarëve në konfliktet që shtrihen nga Gjiri Persik deri në Detin e Zi.
Një valë protestash ka përfshirë disa vende evropiane, përfshirë Francën, Spanjën, Belgjikën dhe Shqipërinë, të nxitura nga pakënaqësi të ndryshme, mes të cilave edhe rritja e kostos së jetesës.