Polonia është përfshirë nga një përplasje e fortë institucionale mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidencës, pas zhvillimeve në Gjykatën Kushtetuese. Situata u përshkallëzua të premten, kur policia hyri në ambientet e gjykatës dhe presidenti i saj u pezullua nga detyra, duke shkaktuar akuza për një “grusht shteti”.
Zhvillimet e detyruan presidentin polak, Karol Nawrocki, të ndërpresë vizitën zyrtare në Senegal dhe të kthehet me urgjencë në Varshavë.
“Në një kohë si kjo, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po e ndërpres udhëtimin tim në Senegal. Po kthehem”, shkroi Nawrocki në rrjetin social X.
Përplasja lidhet me konfliktin e gjatë mbi kontrollin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor, i cili ka nisur gjatë reformave të ndërmarra nga qeveria e mëparshme, e drejtuar nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Kryeministri Donald Tusk mbrojti veprimet e qeverisë, duke argumentuar se ato janë pjesë e përpjekjeve për rikthimin e shtetit të së drejtës.
“Rivendosja e sundimit të ligjit është detyra jonë. Pas viteve të anarkisë nën udhëheqjen e PiS (Ligj dhe Drejtësi), ky proces është i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm dhe kërkon veprim vendimtar. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Tusk.
Nga ana tjetër, policia tha se ndërhyrja në ambientet e Gjykatës Kushtetuese erdhi pas incidenteve të regjistruara jashtë ndërtesës, ku sipas autoriteteve, persona të pranishëm kishin hedhur objekte të rrezikshme në drejtim të efektivëve.
Kriza e fundit ka thelluar përplasjen mes institucioneve polake dhe ka ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e vendimeve të gjykatës, si dhe mbi mënyrën se si do të zgjidhet konflikti mes qeverisë dhe presidencës.

