Policia është dislokuar në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, mes përshkallëzimit të përplasjes ndërmjet qeverisë dhe gjyqtarëve më të lartë të kësaj gjykate, shkruan BBC.
Përplasja vë përballë qeverinë e kryeministrit Donald Tusk dhe paraardhësit e tij nga partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Ndërhyrja e policisë erdhi pasi ministri i Drejtësisë, Waldemar Zurek, deklaroi se kishte kërkuar heqjen e imunitetit nga ndjekja penale për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Swieczkowski, dhe nënkryetarin Bartłomiej Sochanski, me qëllim ngritjen e akuzave penale ndaj tyre.
Tusk është zotuar të depolitizojë sistemin gjyqësor dhe të premten mbrojti këtë vendim, ndërsa mbështetës të PiS u mblodhën në shenjë proteste jashtë ambienteve të gjykatës në Varshavë.
Policia u dislokua për të parandaluar hyrjen e protestuesve në godinën e gjykatës.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjykata Kushtetuese shkroi se dy gjyqtarët ndaj të cilëve qeveria kërkon të nisë ndjekjen penale vazhdonin të ishin gjyqtarët e lartë të emëruar ligjërisht në këtë gjykatë.
“Të gjithë personat që marrin pjesë në këto veprime po kryejnë grusht shteti”, thuhej në reagimin e saj.
Në një postim në rrjetet sociale, Tusk shkroi: “Rikthimi i shtetit të së drejtës është detyra jonë. Pas viteve të paligjshmërisë së Ligjit dhe Drejtësisë, ky është një proces i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm, që kërkon veprime vendimtare. Nuk ka rrugë tjetër”.
Presidenti Karol Nawrocki, i cili mbështetet nga PiS, urdhëroi që avioni i tij të kthehej në Varshavë, teksa ishte rrugës drejt Senegalit për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bogdan Swieczkowski
Qeveria e drejtuar nga PiS erdhi në pushtet në vitin 2015 dhe nisi menjëherë emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të siguruar shumicën në këtë institucion, pasi gjykata ka kompetencën të vendosë mbi ligjshmërinë e legjislacionit.
Më pas, gjykatat kryesore evropiane – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian – vendosën se shumica e emëruar nga PiS kishte zgjedhur në mënyrë të parregullt tre prej gjyqtarëve, pasi kishte plotësuar vende që ishin zënë ligjërisht nga parlamenti i mëparshëm.
Gjykatat evropiane vendosën se Gjykata Kushtetuese e Polonisë nuk ishte më një “gjykatë e pavarur dhe e paanshme”. Qeveria e Tuskut i ka përdorur këto vendime si bazë për të ndaluar botimin e vendimeve të kësaj gjykate.
Tusk ka dështuar të zhbëjë ndryshimet e bëra gjatë qeverisjes së PiS, pjesërisht për shkak se Nawrocki dhe paraardhësi i tij, Andrzej Duda, i mbështetur gjithashtu nga PiS, kanë përdorur veton presidenciale për të bllokuar përpjekjet e tij.
Nawrocki ka refuzuar gjithashtu të betojë pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të zgjedhur nga parlamenti që prej muajit mars, me arsyetimin se procedura e përzgjedhjes së tyre kishte pasur mangësi.
Njëra prej këtyre gjyqtareve, Anna Korwin-Piotrowska, është vendosur tashmë përkohësisht në krye të gjykatës.
Në fillim të këtij muaji, Komisioni i Venecias, organi këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, deklaroi se Nawrocki duhet t’i betojë gjyqtarët, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në seancat e gjykatës.
Ministri i Drejtësisë, Zurek, deklaroi se Swieczkowski dhe nënkryetari i tij duhet të përballen me akuza penale për moslejimin e gjyqtarëve të marrin pjesë në gjykim.
Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar të mbahen vitin e ardhshëm dhe disa e shohin këtë veprim si një përpjekje për të rritur popullaritetin e Tuskut mes votuesve.