Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin

Milan Radoiciq

Një komision i Prokurorisë së Lartë Publike në Serbi është duke e shqyrtuar vendimin që ka çuar në mosdërgimin në paraburgim, të kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq, ka raportuar mediumi serb “nova.rs”.

Në artikull theksohet se rasti po hetohet se si u mundësua lirimi i Radoiçiqit, pavarësisht peshës së rëndë të krimit për të cilin e ka marrë përgjegjësinë.

Hilja qëndronte te kërkesa e Prokurorisë për paraburgim. Në shkrim theksohet se aty u kërkua që Radoiçiqi të dërgohej në paraburgim, me arsyetimin e vetëm se “ekziston rreziku i ikjes”. E komisioni tani po e shqyrton se përse prokurori i rastit nuk ka përmendur fare rrethana të tjera që do të bënin të paevitueshëm dërgimin e Radoiçiqit në paraburgim: rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin te dëshmitarët dhe rrezikimi i sigurisë publike.

Gjykata e pati refuzuar kërkesën për paraburgim duke thënë se vetë paraqitja e tij vullnetare dhe dorëzimi i pasaportës janë të mjaftueshme se ai do të jetë i pranishëm në procedurë. Në vend të paraburgimit, atij iu konfiskua pasaporta dhe iu caktua paraqitja e rregullt në polici.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e pati marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ai udhëhoqi një grup prej dhjetëra personash të armatosur në sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Në përleshje u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre sulmues serbë. Pjesa tjetër e grupit u largua drejt Serbisë, duke lënë pas armë, municion dhe eksplozivë.

Edhe Aktakuzë ndaj Stefan Raduloviqit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë Arbëri Aktakuzë ndaj Stefan Raduloviqit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë

Radoiçiqi e pati marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit përmes avokatit të tij, duke pretenduar se ka vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe.

Kosova e akuzon Serbinë për përfshirje në organizimin dhe mbështetjen e sulmit.

Pas sulmit, Radoiçiqi u arrestua në Serbi, por Gjykata e Lartë në Beograd e pati liruar qysh në tetor 2023. Serbia nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa Radoiçiqi endet i lirë. 

Madje së fundmi u pa i lirë edhe në fushatën për zgjedhjet e 25 tetorit, në mbështetje të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, që u mposht nga Lista e Studentëve.

Edhe BE-ja e shqetësuar për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubimin zgjedhor të partisë së Vuçiqit Arbëri BE-ja e shqetësuar për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubimin zgjedhor të partisë së Vuçiqit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në shtator 2024, përfshirë Radoiçiqin, për vepra që lidhen me terrorizmin dhe cenimin e rendit kushtetues. Kosova ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e të akuzuarve, ndërsa Interpoli lëshoi fletarrestime ndërkombëtare për disa prej tyre, përfshirë Radoiçiqin.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Kosova vazhdon të kërkojë presion ndërkombëtar ndaj Beogradit.