Kostot e një pakete fiskale të hartuar me nxitim, sa goditet biznesi i vogël nga TVSH

Qeveria ka propozuar një paketë të re fiskale me 9 masa, në një periudhë kur rritja e çmimeve dhe shqetësimi i qytetarëve për koston e jetesës po shtohen.

Masat kanë ndikime të ndryshme në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Të lidhura

None found

Gjashtë prej ndërhyrjeve pritet të rrisin të ardhurat buxhetore me 23,8 miliardë lekë, ndërsa tre të tjerat parashikohet të shkaktojnë një ulje prej 19,7 miliardë lekësh.

Në total, efekti neto i paketës vlerësohet në rreth 4 miliardë lekë të ardhura shtesë, ose rreth 42,3 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se synimi i masave është zbutja e pasojave sociale të shtrenjtimit të jetesës për familjet shqiptare dhe reduktimi i informalitetit në ekonomi.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse paketa do të arrijë të ulë barrën mbi familjet, të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për shërbimet dhe investimet publike, të ruajë konkurrueshmërinë e bizneseve të mëdha dhe të mos rëndojë më tej bizneset e vogla.

Një prej masave kryesore është ulja e TVSH-së për shportën ushqimore nga 20% në 6%. Ndryshimi pritet të zbatohet për 54 produkte dhe qeveria e konsideron atë një instrument që mund të ndikojë në uljen e çmimeve.

Sipas relacionit të projektligjit, kjo masë do t’i pakësojë të ardhurat e buxhetit me 12,8 miliardë lekë.

Në të njëjtën kohë, norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%, me synimin për të kompensuar një pjesë të humbjeve të krijuara nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore.

Kur këto dy masa llogariten së bashku me rritjen e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%, efekti neto në buxhet parashikohet të jetë pozitiv me rreth 1,6 miliardë lekë.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo, vlerëson se ndryshimet e normave të TVSH-së mund të kenë fillimisht pasoja negative për konsumatorët.

Sipas tij, do të shtrenjtohen mallrat që nuk përfshihen te produktet ushqimore me normë të reduktuar, si edhe disa shërbime.

“Kalimi i TVSH-së nga 20% në 21% pritet të reflektohet në çmime, të paktën me 1%. Përvoja tregon se rritja e taksave mund të sjellë një rritje të çmimeve edhe më të madhe se ndryshimi i vetë normës tatimore.

Kjo mund të prekë energjinë elektrike, karburantet, ujin, materialet e ndërtimit, veshjet dhe mallra apo shërbime të tjera, ndërkohë që pagat nuk është e thënë të rriten në të njëjtën masë”, shprehet ai.

Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore është kërkuar prej kohësh nga prodhuesit dhe importuesit. Për këtë arsye, Dhamo e konsideron masën pozitive, por thekson se reduktimi i tatimit nuk garanton automatikisht një ulje të çmimeve në të njëjtën përqindje.

Sipas tij, para se të vlerësohet ndikimi i masës duhet analizuar struktura e plotë e kostove të bizneseve që përcaktojnë çmimin përfundimtar.

“Ulja e TVSH-së së mallrave të shportës në 6% është një hap në drejtimin e duhur dhe duhej të ishte ndërmarrë më herët. Kjo ka qenë një kërkesë jo vetëm e bizneseve, por edhe e qytetarëve dhe forcave politike.

Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera, e Shqipërisë dhe studimet e realizuara nga ekspertë vendas e të huaj tregojnë se ulja e taksave indirekte nuk përcillet domosdoshmërisht në çmime me të njëjtën masë si ulja e normës tatimore.

Pra, kalimi i TVSH-së nga 20% në 6% nuk nënkupton se çmimet e produkteve të shportës do të bien me 14%”, argumenton z. Dhamo.

Ai parashikon se çmimet mund të ulen, por jo domosdoshmërisht në të njëjtën masë me reduktimin e TVSH-së. Në këtë ndikojnë mënyra se si bizneset e përcjellin uljen e taksës, kostot e transportit dhe energjisë, si dhe ndryshimet në taksimin e mallrave e shërbimeve të tjera përgjatë zinxhirit të furnizimit.

“Disa biznese mund të zgjedhin ta mbajnë një pjesë të përfitimit në marzhin e tyre të fitimit. Në të njëjtën kohë, kostot mund të ndikohen nga rritja e TVSH-së për produkte dhe shërbime të tjera që lidhen me mallrat e shportës, përfshirë transportin dhe energjinë.

Prandaj, çmimi përfundimtar përcaktohet nga një numër faktorësh dhe jo vetëm nga norma e TVSH-së”, thotë ai.

Eksperti i politikave fiskale Sajmir Laçej e sheh gjithashtu pozitivisht uljen e TVSH-së, duke argumentuar se ajo mund të ndikojë në uljen e çmimeve të ushqimeve.

“Kjo është një masë që kërkohet me të drejtë prej vitesh. Argumenti se çmimet përcaktohen vetëm nga oferta dhe kërkesa dhe se ulja mund të mos japë efekt nuk qëndron. Dëshmi janë çmimet në vendet fqinje, ku kjo skemë zbatohet me sukses prej kohësh”, shprehet ai.

Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë te sipërmarrjet e vogla, është ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e TVSH-së. Pragu vjetor i xhiros propozohet të zbresë nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Sipas relacionit të projektligjit, zgjerimi i skemës synon formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, rritjen e bazës së tatueshme, si dhe përafrimin me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe politikat e Bashkimit Europian.

Të ardhurat shtesë të parashikuara nga kjo masë janë rreth 4,5 miliardë lekë.

Subjektet që deri tani kanë ushtruar aktivitet jashtë skemës së TVSH-së, por që do të përfshihen për shkak të pragut të ri, duhet të ndryshojnë mënyrën e faturimit, të mbajnë evidenca të reja dhe të kryejnë deklarimet tatimore përkatëse.

Gjithashtu, ato do të duhet të rishikojnë kontratat me furnitorët dhe të përcaktojnë trajtimin e mallrave që do të kenë në gjendje në momentin kur të hyjnë në skemën e TVSH-së.

Sajmir Laçej i konsideron shpenzimet administrative të bizneseve të vogla si një “taksë të fshehtë”. Ai propozon që administrata tatimore të ofrojë pa pagesë shërbime për deklarimet fiskale, veçanërisht për bizneset e reja dhe sipërmarrjet e vogla.

“Përmbushja e detyrimeve të deklarimit krijon një kosto që biznesi e paguan për zyrat kontabël, sidomos kur bëhet fjalë për subjektet e detyruara të deklarojnë TVSH-në.

Ulja e pragut nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit shoqërohet me shpenzime të reja, ndaj administrata tatimore duhet të ofrojë shërbime falas”, argumenton z. Laçej.

Disa ekspertë të ekonomisë dhe anëtarë të Këshillit Tatimor paralajmërojnë se kjo ndërhyrje mund të vështirësojë veprimtarinë e bizneseve të vogla dhe të ndikojë në planet e tyre për investime.

Shqetësimi lidhet kryesisht me zbatimin e menjëhershëm të ndryshimit dhe me kohën e kufizuar në dispozicion për përgatitje.

Sipas Sotiraq Dhamos, përfshirja e më shumë subjekteve në skemën e TVSH-së do të sjellë kosto administrative dhe mund të ndikojë në çmimet për konsumatorët. Në disa raste, rritja e çmimeve mund të jetë e konsiderueshme, në varësi të mënyrës se si bizneset zgjedhin ta përballojnë barrën e re tatimore.

“Ulja e kufirit të regjistrimit në 5 milionë lekë prek si bizneset, ashtu edhe konsumatorët.

Subjektet që deri tani kanë operuar pa TVSH, me xhiro deri në 10 milionë lekë, do të duhet të regjistrohen në skemë, të mbajnë evidenca të reja, të deklarojnë detyrimet dhe të ndryshojnë kontratat me furnitorët.

Këto janë detyrime që gjenerojnë kosto të vazhdueshme. Po ashtu, bizneset duhet të vendosin se si do të trajtojnë mallrat që kanë në magazinë ose në gjendje”, shprehet z. Dhamo.

Ai shton se disa tregtarë mund ta kalojnë te konsumatori një pjesë të kostos së re, në vend që ta mbulojnë përmes marzhit të fitimit. Për pasojë, përfshirja në skemën e TVSH-së mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.

“Një njësi e vogël tregtare që deri tani ka shitur pa TVSH mund të rrisë çmimet pas regjistrimit në skemë. Në raste të caktuara, rritja mund të arrijë deri në 20%, ndërsa në raste të tjera mund të jetë më e ulët. Gjithçka varet nga struktura e kostove, marzhi i fitimit dhe mënyra se si subjekti e përballon ndryshimin”, argumenton ai.

Një problem tjetër mund të jetë shtimi i bizneseve me TVSH të kreditueshme. Nëse rimbursimi nuk kryhet në kohë dhe skema nuk bëhet më efikase, bizneset e vogla mund të përballen me vështirësi në likuiditet.

Dhamo nuk mendon se masa do të shkaktojë domosdoshmërisht mbylljen ose falimentimin e subjekteve, por paralajmëron se disa prej tyre mund të përballen me probleme të veçanta financiare dhe administrative.

Për këtë arsye, ai sugjeron që pragu i regjistrimit në skemën e TVSH-së të ulet gradualisht, nga 10 milionë në 5 milionë lekë, në mënyrë që bizneset të kenë kohë të përshtaten.

“Koha dhe mënyra e ndërhyrjes nuk janë të përshtatshme dhe procesi duket i nxituar. Pragu duhet të ulet me faza.

Hapi i parë mund të jetë kalimi nga 10 milionë në 8 milionë lekë, me zbatim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm ose pas një periudhe përgatitore prej një viti”, thotë z. Dhamo.

Sipas tij, një zbatim i tillë do ta lehtësonte administrimin e masës dhe do t’u jepte sipërmarrjeve kohë për të përmbushur kërkesat e reja.

“Në fazën e parë do të përfshihej një numër më i vogël biznesesh dhe subjektet do të kishin mundësi të përgatiteshin. Më pas, në vitin 2029, pragu mund të ulej në 5 milionë lekë, madje mund të shqyrtohej edhe një reduktim i mëtejshëm”, shprehet ai.

Paketa fiskale parashikonte fillimisht rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17%, por qeveria hoqi dorë nga kjo ndërhyrje dhe e la normën në 15%.

Ndryshimi i propozuar lidhet me tatimin mbi dividendin, i cili pritet të rritet nga 8% në 15%. Nga kjo masë parashikohen rreth 3 miliardë lekë të ardhura shtesë.

Me këtë normë, Shqipëria do të barazohej me Serbinë, Malin e Zi dhe Hungarinë për tatimin mbi dividendin. Përfaqësuesit e biznesit, gjatë mbledhjes së Këshillit Tatimor, paralajmëruan se rritja mund të frenojë investimet dhe të nxisë transferimin e kapitalit drejt vendeve ku taksimi është më i favorshëm.

“Rritja e tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi fitimin e korporatave mund ta rendisë Shqipërinë ndër vendet me norma të larta taksimi në rajon.

Investitorët e huaj, kur vlerësojnë mundësitë për investim, marrin në konsideratë edhe nivelin e taksave. Për këtë arsye, Shqipëria mund të bëhet më pak tërheqëse, ndërsa kompanitë e vendeve të tjera të rajonit mund të fitojnë avantazh konkurrues.

Rritja e taksave për TVSH-në, dividendin dhe fitimin mund të ndikojë në çmimet e produkteve dhe të ulë interesin për investime në Shqipëri.

Kjo mund të çojë në zhvendosjen e një pjese të aktivitetit ekonomik drejt vendeve të tjera të rajonit”, paralajmëroi një përfaqësues i biznesit në Këshillin Tatimor.

Një prej masave të paraqitura papritur, është edhe transferimi i taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve.

Sipas parashikimeve, të ardhurat nga kjo kategori taksash do të rriten me 26,6 miliardë lekë. Aktualisht, taksimi i automjeteve sjell 7,2 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimit pritet të arrijë në 33,8 miliardë lekë.

Ministria e Financave llogarit një efekt neto me rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekësh, ndërsa çmimi i karburanteve parashikohet të ulet me 32,3 lekë për litër.

Sajmir Laçej vlerëson se heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet do të ketë efekte pozitive për individët, turistët dhe veçanërisht për zinxhirin e prodhimit e të furnizimit, pavarësisht rëndësisë së kësaj takse për buxhetin.

Sipas tij, kjo taksë ka rritur kostot e transportit dhe ka dëmtuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas kundrejt prodhuesve të rajonit.

Megjithatë, ndikimi real do të varet nga mënyra se si ulja përcillet në çmimin e karburantit dhe nga barra shtesë që mund të sjellin taksat vjetore të automjeteve.

Laçej kërkon që ndryshimet fiskale të mos zbatohen menjëherë. Sipas tij, bizneset duhet të kenë të paktën një vit kohë për t’u përgatitur, pasi parashikueshmëria e politikave tatimore është thelbësore për planifikimin financiar dhe për rishikimin e kontratave.

“Duhet të vendoset rregulli që asnjë ndryshim të mos hyjë në fuqi pa kaluar të paktën një vit nga prezantimi zyrtar për konsultim publik. Kjo do t’u mundësonte bizneseve të përgatiteshin dhe të rishikonin marrëdhëniet kontraktuale”, argumenton z. Laçej.

Ai thekson se rritja e taksave duhet të mbështetet në analiza të plota që matin efektin real në ekonomi dhe jo vetëm në përllogaritje teorike për të ardhurat buxhetore.

“Ministria e Financave nuk duhet të kufizohet te llogaritja matematikore e efektit teorik të rritjes së një takse apo tatimi. Nevojiten simulime të thelluara ekonometrike që të vlerësohet ndikimi real në buxhet, duke përfshirë sjelljen e konsumatorëve dhe pasojat për bizneset”, shprehet ai.

Eksperti kërkon gjithashtu, masa të tjera për uljen e kostove të sipërmarrjeve. Ndër propozimet e tij është përjashtimi nga akciza i lëndëve djegëse që përdoren në proceset teknologjike të prodhimit.

“Ky është një parim i parashikuar në direktivën përkatëse të Komisionit Europian dhe në Ligjin e Akcizës, por zbatimi i tij është kufizuar përmes akteve nënligjore. Nëse Shqipëria synon të jetë konkurruese në rajon dhe në Bashkimin Europian, prodhuesit duhet të kenë rregulla të barabarta loje”, thekson ai.

Laçej propozon edhe heqjen e detyrimit për pagesën e TVSH-së në momentin e importit, pasi parapagimi ndikon drejtpërdrejt në likuiditetin e bizneseve.

“Parapagimi i TVSH-së mund të lehtësojë shpenzimet e buxhetit, por për biznesin është një kosto sepse prek fluksin e parasë, ose cash flow-n. Për më tepër, ndërhyrjet arbitrare të Doganës në vlerën e transaksionit mund ta rrisin edhe më shumë barrën”, argumenton z. Laçej.

Ai kërkon që bizneset e vogla të ndahen sipas tipologjisë dhe llojit të aktivitetit, ndërsa kriteret për TVSH-në e zbritshme të rishikohen për të shmangur shpenzimet e panevojshme, veçanërisht për subjektet që ofrojnë shërbime.

Një propozim tjetër lidhet me rishikimin e tatimit mbi fitimin kapital nga shitja e banesës së parë, kur banesa përdoret për qëllime personale dhe jo për aktivitet tregtar.

“Taksimi i individëve që shesin shtëpinë ku kanë jetuar për disa vite, për arsye jotregtare, përbën një deformim që nuk zbatohet në vendet e BE-së dhe jo vetëm. Korrigjimi i kësaj situate do të çlironte tregun dhe do ta bënte të panevojshëm rivlerësimin periodik me normë të reduktuar taksimi”, shprehet ai.

Efektet e parashikuara për nëntë masat fiskale janë këto:

1. Rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% pritet t’i sjellë buxhetit 3 miliardë lekë të ardhura.

2. Rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% parashikohet të shtojë të ardhurat me 10,6 miliardë lekë.

3. Ulja e TVSH-së për shportën ushqimore në 6% pritet të krijojë një efekt negativ prej 12,8 miliardë lekësh në buxhet.

4. Ulja e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore pritet të rrisë të ardhurat me 4,5 miliardë lekë.

5. Rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% parashikohet të sjellë 593 milionë lekë të ardhura shtesë.

6. Rritja e akcizës për produktet e duhanit dhe ndryshimi i taksimit për gazoilin e përzier me biodizel parashikohet të kenë një efekt prej 4,1 miliardë lekësh në buxhet.

7. Rritja e pragut për zbatimin e normës 23% të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të ardhura bruto, pritet të ulë të ardhurat me 1,9 miliardë lekë.

8. Vendosja e një norme të tretë margjinale prej 30% për të ardhurat bruto mujore mbi 700 mijë lekë parashikohet të shtojë 700 milionë lekë të ardhura.

9. Zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve parashikohet t’i rrisë të ardhurat e kësaj kategorie me 26,6 miliardë lekë. Të ardhurat aktuale nga taksimi i automjeteve janë 7,2 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimit pritet të arrijnë në 33,8 miliardë lekë. Efekti neto i masës llogaritet me një rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekësh për Ministrinë e Financave.


Shtuar më 31.10.2026 07:35

Quantcast