Samsung po sjell një funksion të avancuar në pajisjet e saj inteligjente, i cili mund të ndihmojë në zbulimin e problemeve serioze të frymëmarrjes gjatë gjumit. Funksioni i ri për zbulimin e apnesë së gjumit ka marrë miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe të autoriteteve përkatëse në Korenë e Jugut.
Samsung ka njoftuar se funksioni i avancuar do të jetë fillimisht i disponueshëm në Korenë e Jugut. Ndryshe nga sistemi ekzistues, i cili identifikon shenja të mundshme të apnesë së gjumit, teknologjia e re ofron një analizë më të detajuar të gjendjes.
Përmes algoritmeve të Al, pajisjet analizojnë numrin e çrregullimeve të frymëmarrjes gjatë çdo ore të gjumit dhe vlerësojnë shkallën e mundshme të rrezikut. Përdoruesit do të njoftohen për shenja të apnesë së lehtë, të moderuar ose të rëndë. Ky përditësim mund të jetë veçanërisht i dobishëm, pasi apnea e gjumit shpesh kalon pa u vënë re.
Megjithatë, funksioni shërben për monitorim dhe nuk e zëvendëson diagnostikimin nga mjekët. Funksioni i ri pritet të fillojë të shpërndahet në Korenë e Jugut gjatë muajit nëntor. Pajisjet e para që do ta mbështesin janë Galaxy Watch Ultra 2, Galaxy Watch 9 dhe Galaxy Ring. Më pas, përditësimi pritet të arrijë edhe te modelet më të vjetra, përfshirë Galaxy Watch 8 dhe Watch 7.