Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka reaguar me tone kërcënuese ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, pas deklaratave të këtij të fundit se konflikti me Iranin i ka kushtuar Evropës më shumë se 100 miliardë euro për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Në një reagim në platformën X, Araghchi akuzoi Merz se kishte mbështetur sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit në qershor 2025, ndërsa tani ankohet për pasojat ekonomike që lufta ka shkaktuar në Evropë. Kryediplomati iranian iu referua deklaratës së mëparshme të kancelarit gjerman, i cili gjatë sulmeve të Izraelit ndaj Iranit kishte thënë se Izraeli po bënte “punën e ndyrë për të gjithë ne”.
Duke rikujtuar këtë qëndrim, Araghchi shkroi se Merz i kishte përshëndetur bombardimet izraelito-amerikane, ndërsa paralajmëroi se çdo përpjekje e re për të goditur Iranin do të përballet me një përgjigje të ashpër ushtarake. “100 miliardë euro nuk janë asgjë në krahasim me goditjen shkatërruese që Forcat e Armatosura të Fuqishme të Iranit do t’u japin atyre që guxojnë të dëmtojnë popullin tonë”, deklaroi Araghchi. Ai e përfundoi mesazhin me një tjetër paralajmërim: “Vijat e kuqe janë një gjë e së kaluarës”, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm në rast të sulmeve të reja ndaj Iranit.
Merz: Lufta i ka kushtuar Evropës mbi 100 miliardë euro
Reagimi i Teheranit erdhi pas deklaratave të Friedrich Merz të premten, gjatë një vizite në Korenë e Jugut. Kancelari gjerman u shpreh se konflikti me Iranin dhe rritja e çmimeve të energjisë kanë shkaktuar një faturë ekonomike prej më shumë se 100 miliardë eurosh për bizneset dhe familjet evropiane gjatë tetë muajve të fundit. Merz theksoi se Evropa ka një interes të drejtpërdrejtë në përfundimin e konfliktit, duke argumentuar se kriza nuk mund të zgjidhet përmes mjeteve ushtarake, por kërkon negociata dhe përpjekje diplomatike. Ai bëri të ditur gjithashtu se Gjermania po përdor kanale të ndryshme komunikimi për të kontribuar në uljen e tensioneve dhe përfundimin e armiqësive.
Edhe kreu i sigurisë iraniane sulmon Evropën
Në të njëjtën linjë me Araghchi reagoi edhe Mohsen Rezaei, kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili kritikoi qeveritë evropiane për shqetësimin e tyre lidhur me kostot ekonomike të konfliktit.
“Kur duartrokitët krimet e luftës, a menduat se pasojat nuk do t’ju preknin?”, shkroi ai në një postim në platformën X. Rezaei argumentoi se qeveritë evropiane po përballen tashmë me pasojat ekonomike të një konflikti, të cilin, sipas tij, e kishin mbështetur më herët. Deklaratat e zyrtarëve iranianë vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, kur mundësia e operacioneve të reja ushtarake amerikane kundër Iranit mbetet një shqetësim, ndërsa kriza energjetike dhe ndikimi i saj në ekonominë evropiane vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
Germany’s Chancellor Merz on Iran War:
We now have costs exceeding €100 billion for Europe alone over the last eight months, solely because of the increase in energy prices caused by this conflict.
More than €100 billion extra has been paid by businesses and consumers in Europe because energy has become more expensive as a result of this conflict.
We have an economic interest in bringing this conflict to an end as quickly as possible.
— Clash Report (@clashreport) October 30, 2026
