Pas më shumë se dy dekadash në hapësirë, teleskopi amerikan Swift po i afrohet fundit të udhëtimit të tij. NASA ka konfirmuar se observatori pritet të rikthehet në atmosferën e Tokës gjatë javëve të ardhshme, megjithëse data e saktë mbetet ende e panjohur.
Teleskopi, i lëshuar në nëntor të vitit 2004, ndodhet aktualisht në një lartësi më të vogël se 275 kilometra mbi Tokë. Për të shmangur rënien e tij, kompania Katalyst Space Technologies dërgoi anijen LINK, me synimin për t’u lidhur me teleskopin dhe për ta zhvendosur në një orbitë më të lartë.
Megjithatë, probleme teknike penguan përfundimin e operacionit. Swift ishte projektuar fillimisht për një mision dyvjeçar, por arriti të funksiononte për më shumë se 20 vjet.
Gjatë kësaj periudhe, teleskopi zbuloi mbi 2 mijë shpërthime të rrezeve gama, studioi rreth 1.400 shpërthime supernovash dhe kontribuoi në afro 7 mijë publikime shkencore.
NASA bën të ditur se të dhënat e mbledhura do të mbeten të disponueshme për studiuesit. Arkivi përmban rreth 12 terabajt informacion dhe mbi 1.5 milionë imazhe. Sipas parashikimeve, pjesa më e madhe e teleskopit do të digjet gjatë hyrjes në atmosferë, ndërsa disa fragmente mund të përfundojnë në det.