Dy burra shqiptarë arrestohen për vjedhje në Cyrih

Dy shtetas shqiptarë, të moshës 47 dhe 49 vjeç, janë arrestuar nga Policia Kantonale e Cyrihut, pasi dyshohet se tentuan të kryenin vjedhje në dy prona në qytetin e Horgenit, në kantonin e Cyrihut, në Zvicër.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën mbrëma, më 28 tetor 2026, në lagjen Mühlebach, pak pas orës 19:30.
Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Cyrihut, hetuesit vunë re tre burra të dyshimtë që lëviznin në zonë. Ata fillimisht tentuan të hynin me forcë në një shtëpi private, por pasi nuk ia dolën, u zhvendosën drejt një prone tjetër.
Gjatë tentativës së dytë, policia arriti të arrestojë njërin prej tyre, ndërsa i dyti u kap pas një ndjekjeje të shkurtër në këmbë. Personi i tretë, i cili dyshohet se kishte rolin e vrojtuesit, arriti të largohej dhe t’i shpëtonte arrestimit, transmeton Telegrafi.
Gjatë kontrollit, policia u sekuestroi dy të arrestuarve mjete që dyshohet se përdoreshin për vjedhje me thyerje, veshje mbrojtëse dhe pajisje radioje.
Dy shqiptarët, 47 dhe 49 vjeç, u dërguan në stacionin policor për t'u marrë në pyetje dhe më pas iu dorëzuan Prokurorisë Publike për procedura të mëtejshme.
Ndërkohë, policia është në kërkim të personit të tretë që arriti të arratisej./Telegrafi/







































