Botë e Çuditshme

Avioni mbushet me 9 tonë patate në vend të pasagjerëve…kjo jo pa një qëllim!

Një avion i mbushur me nëntë tonë patate në vend të pasagjerëve mund të duket si një skenë komike, por për kompaninë amerikane Boeing ishte pjesë e një eksperimenti shkencor për përmirësimin e teknologjisë në fluturim.

Kompania vendosi të përdorte patatet për të studiuar mënyrën se si përhapen valët e radios brenda kabinës së avionit dhe për të përmirësuar cilësinë e lidhjes Wi-Fi për pasagjerët.

Sipas studiuesve, trupi i njeriut ndikon drejtpërdrejt në përhapjen e valëve elektromagnetike, pasi një pjesë e tyre përthithet, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në drejtime të ndryshme.

Kjo bën që sinjali i internetit të mos jetë njësoj i fortë në të gjitha vendet e avionit. Disa pasagjerë mund të kenë lidhje më të mirë, ndërsa të tjerë përballen me sinjal më të dobët.

Pikërisht këtu hynë në lojë patatet.

Ekspertët zbuluan se këto produkte bujqësore kanë karakteristika të ngjashme me trupin e njeriut për sa i përket përthithjes dhe reflektimit të valëve të radios.

Për këtë arsye, Boeing mbushi kabinën e avionit me nëntë tonë patate, duke krijuar kushte të ngjashme me ato të një fluturimi me pasagjerë, por pa pasur nevojë të përfshinte njerëz në eksperiment.

Gjatë testimeve, studiuesit vëzhguan se si patatet ndikonin në përhapjen e sinjalit brenda avionit. Rezultatet i ndihmuan të identifikonin zonat ku lidhja Wi-Fi dobësohej dhe të analizonin konfigurime të ndryshme për përmirësimin e saj.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.