Health & Beauty

Injeksionet për dobësim/Ekspertët paralajmërojnë për efektin “fytyra Ozempik”!

Injeksionet për rënie në peshë po përdoren gjithnjë e më shumë në mbarë botën, por specialistët paralajmërojnë se dobësimi i shpejtë mund të shoqërohet edhe me pasoja për masën muskulore dhe pamjen e lëkurës.

Prof. Dr. Ozlem Su Kucuk, drejtuese e Departamentit të Dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Bezmialem Vakif, këshillon personat që përdorin këto trajtime të konsumojnë nga 1 deri në 1.5 gramë proteina për çdo kilogram të peshës trupore në ditë.

Sipas saj, kjo është një nga mënyrat për të ndihmuar në ruajtjen e masës muskulore gjatë procesit të rënies në peshë. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e aktivitetit fizik, veçanërisht ushtrimeve të rezistencës, si dhe hidratimit të mjaftueshëm.

Një tjetër shqetësim që lidhet me dobësimin e shpejtë është ndryshimi i pamjes së fytyrës, i njohur ndryshe si “fytyra Ozempik”.Humbja e yndyrës në zonën e fytyrës mund të shkaktojë mollëza të fundosura, zgavra poshtë syve, rrathë të errët, rrudha dhe varje të lëkurës në fytyrë e qafë.

Specialistja nënvizon se këto trajtime, veçanërisht injeksionet që veprojnë përmes receptorëve GLP-1, duhet të përdoren vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut dhe jo pa një vlerësim profesional.

Ajo këshillon gjithashtu që suplementet ushqimore dhe vitaminat të mos merren pa rekomandimin e specialistit, pasi përdorimi i pakontrolluar mund të shkaktojë reaksione të lëkurës, ndërveprime me medikamente të tjera dhe dëmtime të mëlçisë apo veshkave.

Sa i përket ndryshimeve estetike pas rënies së shpejtë në peshë, Kucuk shprehet se në rastet kur shfaqen rrudha dhe varje e theksuar e lëkurës, mund të konsultohet dermatologu. Në varësi të nevojave, mund të shqyrtohen trajtime si PRP-ja apo mbushësit dermalë.

Megjithatë, ajo paralajmëron se çdo procedurë estetike duhet të kryhet nga mjekë të specializuar, pasi ndërhyrjet nga persona të pakualifikuar mund të sjellin probleme serioze shëndetësore.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.