Dy persona të kërkuar përmes Interpolit janë arrestuar nga Policia e Kosovës në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Istog.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njëri nga të arrestuarit është shtetas gjerman, ndërsa tjetri shtetas kosovar.


I dyshuari me shtetësi gjermane është lokalizuar dhe arrestuar më 30 tetor, rreth orës 17:40, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Ndërkaq, personi tjetër është arrestuar rreth orës 16:30 në fshatin Dubovë të Istogut.

Policia ka bërë të ditur se arrestimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e tjera policore dhe institucionet përkatëse.

Me vendim të prokurorit, të dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/