Kriza energjetike po rikthehet në Europë, duke shtuar presionin mbi ekonomitë, bizneset dhe familjet. Rritja e fortë e çmimit të gazit natyror dhe energjisë elektrike po rikthen frikën për një valë të re shtrenjtimesh, ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian ende nuk kanë arritur një marrëveshje për masat që duhet të ndërmarrin për të frenuar kostot.
Takimi i fundit i ministrave të Energjisë në Luksemburg përfundoi pa një dakordësi konkrete për uljen e faturave. Diskutimet nxorën në pah ndarjet mes vendeve anëtare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet përballuar kriza dhe sa kompetenca duhet të kenë qeveritë kombëtare për të ndërhyrë në treg.
Presioni po ndihet edhe në tregjet financiare. Çmimi i gazit natyror në bursën europiane TTF kaloi përkohësisht 100 euro për megavat-orë më 28 tetor, duke shënuar nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2022. Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike kanë kaluar 200 euro për megavat-orë. Rritja e kostove të energjisë po reflektohet drejtpërdrejt në inflacionin europian. Sipas të dhënave të Eurostat, inflacioni vjetor në eurozonë dhe në Bashkimin Europian arriti në 3.8% në shtator, nga 3.2% një muaj më parë. Në sektorin e energjisë, rritja e çmimeve në eurozonë arriti në 18.9%.
Shtrenjtimi i energjisë nuk prek vetëm faturat mujore të familjeve. Ai rrit gjithashtu kostot e prodhimit dhe transportit, duke rënduar industrinë dhe duke u reflektuar në çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Për bizneset, kjo do të thotë më pak hapësirë për konkurrencë, ndërsa konsumatorët përballen me shpenzime gjithnjë e më të larta. Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në Greqi. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se 27.5% e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Po ashtu, 18.1% e qytetarëve nuk kishin mundësi financiare për të mbajtur banesat e tyre mjaftueshëm të ngrohta.
Një tjetër shqetësim lidhet me rezervat e gazit. Aktualisht, ato vlerësohen në rreth 73%, krahasuar me 90% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe pse konsumi europian i gazit është më i ulët se në vitin 2022, kontinenti vijon të jetë i ekspozuar ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, tensioneve gjeopolitike dhe vështirësive në transportin detar.
Në qendër të negociatave është propozimi i Komisionit Europian për ndryshime në taksimin e energjisë dhe tarifat e rrjetit, me synimin për ta bërë energjinë elektrike ekonomikisht më të favorshme në raport me gazin natyror. Por nisma nuk ka gjetur mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare. Disa qeveri kërkojnë më shumë fleksibilitet për të përcaktuar politikat e tyre kombëtare dhe për të ruajtur kompetencat e rregullatorëve vendas. Spanja, Danimarka dhe Luksemburgu mbështesin drejtimin e propozuar nga institucionet europiane, ndërsa Franca kërkon një kompromis mes qëndrimeve të ndryshme.
Greqia, nga ana e saj, kërkon më shumë hapësirë për të zbatuar masa të përkohshme dhe të targetuara në mbështetje të familjeve dhe bizneseve. Përfaqësuesit e industrive me konsum të lartë energjie kërkojnë gjithashtu tarifa të parashikueshme dhe masa të posaçme për të mbrojtur investimet dhe konkurrueshmërinë. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për përcaktimin e politikës energjetike europiane. Negociatat pritet të vijojnë deri në dhjetor, ndërsa sfida kryesore mbetet arritja e një qëndrimi të përbashkët përballë rritjes së kostove. Nëse vendet anëtare nuk arrijnë një marrëveshje, familjet dhe bizneset europiane rrezikojnë të përballen me një tjetër periudhë të vështirë, ku energjia do të mbetet një nga faktorët kryesorë të shtrenjtimit të jetesës.
