Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet penale ndaj kompanisë “AlbChrome”, pas konstatimeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për ndotjen në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Sipas raportit të AKM-së, prej vitesh në këtë zonë janë depozituar mbetje industriale në mjedis të hapur, pa masa të përshtatshme sigurie dhe pa respektuar standardet për administrimin e tyre.
Bëhet fjalë për mbetje të krijuara nga proceset industriale, të përftuara nga pluhurat e kapëseve, të cilat janë akumuluar për një periudhë të gjatë. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka cilësuar ato si mbetje me rrezikshmëri shumë të lartë, duke evidentuar praninë e përbërësve potencialisht kancerogjenë.
Konstatimet kanë ngritur shqetësime për rrezikun që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin e banorëve dhe mjedisin përreth.
Procedimi penal është urdhëruar nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili ka vendosur ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat e çështjes dhe përgjegjësitë e mundshme.
Grupi hetimor përbëhet nga tre prokurorë dhe dy hetues. Ata do të administrojnë dokumentacionin dhe provat përkatëse, si dhe do të kryejnë veprimet e nevojshme hetimore.
Ndër veprimet e para është urdhëruar këqyrja e vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin e situatës në terren, identifikimin e mbetjeve të depozituara dhe dokumentimin e gjendjes mjedisore.