I dyshuari për sulmin ndaj ambasadës izraelite në Beograd ishte hetuar edhe në Gjermani

Një 17-vjeçar nga Serbia, i dyshuar për sulmin terrorist ndaj Ambasadës së Izraelit në Beograd, ishte objekt i një procedure penale edhe në Gjermani. Këtë e konfirmoi Prokuroria e Lartë Publike në Munih për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).

Sulmi u krye natën mes 27 dhe 28 tetorit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i mituri, i pajisur me dy thika, iu afrua pjesëtarit të Xhandarmërisë që ruante ambasadën dhe e sulmoi.

Të lidhura

None found

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se sulmuesi thirri “Allahu Akbar [Zoti është i madh]” dhe iu vërsul xhandarit. Ky i fundit hapi zjarr me armën e tij dhe e vrau sulmuesin.

Daçiq shtoi se identiteti i të riut nuk ishte konfirmuar ende, por se shërbimet serbe e kishin ndjekur dhe e dinin që ai mbështeste Shtetin Islamik.

Në përgjigjen e datës 30 tetor për REL-in, Prokuroria e Lartë Publike në Munih bëri të ditur se Gjykata e Qarkut në këtë qytet kishte lëshuar, në qershor të vitit 2026, fletarrestim për shtetasin 17-vjeçar serb. Ai dyshohej për disa vepra penale, përfshirë “dhënien e udhëzimeve për kryerjen e një vepre penale terroriste”, si dhe për përhapjen e përdorimin publik të simboleve të organizatës ekstremiste Shteti Islamik.

Sipas prokurorisë, i riu dyshohej se kishte vëzhguar sheshin Sankt-Jakobs-Platz në Munih dhe ishte përpjekur të siguronte armë, me synimin për të sulmuar Muzeun Hebraik në qytet. Ai u mbajt në paraburgim në një institucion për të mitur nga 22 qershori deri më 24 korrik 2026.

Autoritetet gjermane thanë se i dyshuari nuk kishte pasur dënime të mëparshme. Ai kishte jetuar me të atin në Munih që nga viti 2022, ndërsa më 24 korrik 2026 u dëbua në Serbi, ku jeton nëna e tij.

Hetimin për sulmin në Beograd e udhëheq Prokuroria për Krimin e Organizuar e Serbisë. Më herët, ajo i tha REL-it se prokurori kishte kërkuar nga policia të merrte në pyetje nënën dhe njerkun e “të miturit D.N., për të cilin dyshohet se është personi [N.N.] që kreu sulmin”.

Në qershor të vitit 2024, ambasada izraelite në Beograd ishte shënjestruar edhe nga Millosh Zhujoviq (1999), i njohur me emrin Salahudin. Ai sulmoi me hark dhe shigjeta dhe plagosi një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante ndërtesën.

Xhandari i plagosur qëlloi me armën zyrtare dhe vrau Zhujoviqin. Ngjarja u klasifikua si terrorizëm dhe u pasua nga një operacion i gjerë policor, ku u arrestuan disa persona që, sipas autoriteteve serbe, kishin lidhje me qarqe radikale islamiste.

Më 2019, në Serbi shtatë persona u dënuan me vendim të formës së prerë me gjithsej 69 vjet e gjashtë muaj burg. Ata u shpallën fajtorë për bashkim me qëllim terrorizmi, pjesëmarrje në luftën në Siri dhe bashkëpunim me grupin ekstremist Shteti Islamik./REL


Shtuar më 31.10.2026 09:42

Quantcast