Protestuesi 28 vjeçar Erjon Vishkulli e quan një nga momentet më të vështira sfidën me të cilën po përballet për shikimin, pas operacionit që kreu në Itali dhe që u përmbyll me sukses duke shpëtuar syrin.

Në një postim në rrjetet sociale ai shpreh mirënjohje për mbështetjen që ka marrë nga të afërm e shqiptarë që i kanë dërguar fjalë të ngrohta e lutje.

“Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara. Më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira”, shkruan ai.

Erjon Vishkulli kreu ndërhyrjen e dytë, pas asaj në spitalin e Traumës, në kliniken “Gemelli” në Romë me mbështetje financiare nga qeveria 5 milionë lekë të rinj

Bluzat e bardha kanë nxjerrë nga syri edhe trupin e huaj në sy, ku siç ka njoftuar më herët prokuroria e Tiranës, materiali do të sekuestrohet për tu ekzaminuar se çfarë është, teksa dyshimet e para kanë qenë për plumb gome.

Reagimi i plotë:

Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.

Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.

Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.

Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.

Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.

Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Mirënjohje pafund, U shtofshin Shqiptarët e mirë!