E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erjonit Vishkulli përballë një sfide tjetër: Lutem që gjithçka të kalojë me sukses
Lajme

Erjonit Vishkulli përballë një sfide tjetër: Lutem që gjithçka të kalojë me sukses

Erjon Vishkulli, tifozi i njohur i Kombëtares shqiptare, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestave studentore në Tiranë, ka reaguar përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë pas ngjarjes së rëndë.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Itali, Vishkulli po përballet me një tjetër periudhë të vështirë, teksa sfida e radhës lidhet me rikuperimin dhe shikimin e syrit të dëmtuar. Në këtë betejë, përveç kujdesit mjekësor, ai ka gjetur mbështetje të madhe te familjarët, miqtë dhe qindra shqiptarë që i kanë përcjellë mesazhe solidariteti nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Në reagimin e tij, Vishkulli shpreh mirënjohjen për telefonatat, fjalët inkurajuese dhe lutjet që ka marrë gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se kjo mbështetje i ka dhënë forcë dhe shpresë për të mos u dorëzuar përballë vështirësive.

Ai e cilëson solidaritetin e treguar si një vlerë të jashtëzakonshme, ndërsa falënderimin më të madh ia drejton Zotit për jetën, forcën dhe shpresën për të kaluar me sukses këtë sprovë.

Mesazhi i tifozit të Kombëtares vjen pas plagosjes së rëndë gjatë protestave studentore, një ngjarje që shkaktoi reagime dhe solidaritet të gjerë. Ndërsa vijon përballjen me pasojat e dëmtimit, Vishkulli ka zgjedhur të ndajë publikisht mirënjohjen për të gjithë ata që nuk e kanë lënë vetëm në këtë moment të vështirë.

Reagimi i plotë i Erjon Vishkullit:

“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.

Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.

Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.

Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira. Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.

Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!

Mirënjohje pafund, u shtofshin shqiptarët e mirë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.