Reshjet e shiut, temperaturat e ulëta dhe mjegulla kanë përfshirë qarkun e Kukësit, ndërsa në zonat e larta malore ka pasur edhe reshje dëbore. Kushtet e vështira atmosferike janë ndier në të tria bashkitë, Kukës, Tropojë dhe Has, veçanërisht në zonat e thella malore.
Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, deri më tani nuk raportohen probleme të rëndësishme për emergjencat apo jetën e përditshme të banorëve. Megjithatë, në disa segmente të rrugëve nacionale, kryesisht në zonat malore, janë regjistruar rënie gurësh në trupin e rrugës.
Ndërhyrja e kompanive të mirëmbajtjes ka mundësuar pastrimin e akseve, pa shkaktuar pengesa në qarkullimin e automjeteve. Edhe në Rrugën e Kombit lëvizja vijon normalisht, pavarësisht reshjeve dhe kushteve atmosferike.
Drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, për shkak të lagështisë në rrugë.
Sipas parashikimeve meteorologjike, përmirësimi i motit pritet të nisë nga e mërkura e javës së ardhshme. Moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira kalimtare.

