Erjon Vishkulli ka reaguar sërish në rrjetet sociale pas operacionit të kryer pak ditë më parë në Itali. I riu, i cili mbeti i plagosur në sy me plumb gome gjatë protestës së një jave më parë, tregon se tashmë po përballet me një tjetër sfidë të rëndësishme: rikthimin e shikimit.
Në mesazhin e tij, Vishkulli ka falënderuar familjarët, miqtë dhe shqiptarët brenda e jashtë vendit për mbështetjen, telefonatat dhe mesazhet e shumta.
Ai shprehet se solidariteti i treguar i ka dhënë forcë dhe shpresë për të vazhduar përpara, ndërsa falënderon Zotin dhe shpreson që edhe kjo sfidë të përfundojë me sukses.
REAGIMI I PLOTË
Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.
Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.
Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.
Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.
Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!
Mirënjohje pafund, U shtofshin Shqiptarët e mirë
