E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e Arlinda Zekajt/ Kush është rrjeti në Pejë që e ktheu viktimën në duart e vrasësit?
Bota

Vrasja e Arlinda Zekajt/ Kush është rrjeti në Pejë që e ktheu viktimën në duart e vrasësit?

Vrasja e Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën nga kunati i saj, pavarësisht se kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet e Kosovës, ka rikthyer në qendër të debatit publik dështimin e mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.

Gazetari Vullnet Krasniqi, i ftuar në emisionin “Review”, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi përgjegjësinë e institucioneve në Pejë, duke kërkuar zbardhjen e personave dhe lidhjeve që, sipas tij, penguan zbatimin e një vendimi gjykate dhe bënë që viktima të përfundonte sërish në shtëpinë e personit që më vonë i mori jetën.

Sipas Krasniqit, dokumentacioni i lënë pas nga Arlinda Zekaj dëshmon se ajo kishte kërkuar ndihmë në mënyrë të përsëritur dhe kishte ndjekur të gjitha rrugët institucionale që kishte në dispozicion. Ajo u ishte drejtuar strukturave komunale që trajtojnë çështjet e grave dhe fëmijëve, Policisë, Prokurorisë, Gjykatës, Inspektoratit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Gazetari theksoi se viktima kishte dokumentuar çdo përpjekje për të siguruar mbrojtje, duke lënë pas një gjurmë të qartë të kërkesave të saj drejtuar shtetit. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, institucionet nuk arritën të garantonin sigurinë e saj.

“Kush është rrjeti që nuk lejoi zbatimin e vendimit të gjykatës?”

Për Krasniqin, çështja tashmë nuk duhet të kufizohet vetëm te autori i vrasjes, por duhet të shtrihet edhe te përgjegjësit institucionalë dhe personat që mund të kenë ndikuar në moszbatimin e vendimeve gjyqësore.

Ai kërkoi që të hetohen lidhjet mes individëve në Pejë, të cilët, sipas pretendimeve të tij, bënë të mundur që një vendim gjykate të mos zbatohej, ndërsa viktima të rikthehej në banesën e personit prej të cilit duhej të mbrohej.

“Kush janë ky rrjet kriminal që e çojnë viktimën tek shtëpia e vrasësit, që nuk e largojnë uzurpatorin prej asaj shtëpie? Kush janë ky rrjet kriminal që vendosen me zbatu kanunin e traditën e nuk vendosen me zbatu detyrën kryesore që e kanë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore?”, deklaroi gazetari.

Sipas tij, zbardhja e këtyre rrethanave është një detyrim jo vetëm për gazetarinë, por edhe për institucionet e drejtësisë, të cilat duhet të përcaktojnë se kush pengoi zbatimin e vendimit dhe në çfarë rrethanash ndodhi kjo.

Krasniqi paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që krijohet kur normat tradicionale dhe ndërhyrjet informale vendosen mbi ligjin dhe vendimet e gjykatave, duke e lënë qytetarin pa mbrojtje reale.

Krasniqi i drejtohet Kurtit: Gratë duhet të kenë siguri, jo vetëm premtime

Gazetari kërkoi reagim dhe përgjegjësi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se garantimi i sigurisë së qytetarëve, veçanërisht i grave që përballen me dhunë, duhet të jetë një nga detyrat themelore të shtetit.

Ai solli në vëmendje edhe kushtet që kishte Arlinda Zekaj, e cila, sipas tij, kishte të drejtë pronësie, një vend pune dhe njohuri për mënyrën se si funksionojnë institucionet. Megjithatë, as këto mundësi nuk arritën ta mbronin.

Krasniqi vuri theksin te gratë që jetojnë në zona rurale dhe që shpesh nuk kanë informacionin, mundësitë ekonomike apo njohuritë e nevojshme për t’iu drejtuar institucioneve përkatëse kur përballen me dhunë.

“Po ato ku të drejtohen? Kush i mbron? Është një pyetje që duhet t’i përgjigjet Albin Kurti”, u shpreh ai.

Në përfundim, gazetari e cilësoi rastin e Arlinda Zekajt si një dokumentim tragjik të dështimit të mbrojtjes institucionale, ndërsa theksoi se reagimi qytetar që ka pasuar vrasjen duhet të shërbejë për të kërkuar përgjegjësi konkrete.

Ai vuri në dukje se kjo revoltë ka marrë një karakter të gjerë qytetar dhe, deri në momentin e deklaratës së tij, nuk ishte përfshirë nga ndikimet politike.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka lënë pas pyetje që kërkojnë përgjigje: kush nuk zbatoi vendimin e gjykatës, kush lejoi rikthimin e saj në një ambient ku rrezikohej dhe kush do të mbajë përgjegjësi për dështimin e institucioneve që duhej ta mbronin?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.